Tiranë, 22 qershor 2014 – Parlamenti shqiptar dominohet nga politikanë biznesmenë, ndryshe nga viti 1991 kur figuronin 52 ligjvënës me tituj shkencorë. Ky është një nga konkluzionet e studimit të kryer nga Instituti i Studimeve Politike, në lidhje me diplomimin e deputetëve të Parlamentit shqiptar. Në studim evidentohen edhe deputetët me më shumë mandate, ku përfshihen Sali Berisha dhe Namik Dokle, të cilët janë pjesë e çdo legjislature nga viti 1991.
Arsimimi, titujt shkencorë dhe përbërja e Kuvendit
Sipas të dhënave të deputetëve në Parlamentin shqiptar, më pak sesa 10% e tyre kanë tituj të lartë akademikë (90% e këtyre titujve janë marrë gjatë periudhës komuniste ose në vitet e para të tranzicionit).
19 deputetë kanë gradën MA dhe 8 PhD, 6 të tjerë janë ende në proces studimi, nga të cilët dy janë doktorantë. Pjesa më e madhe e deputetëve kanë mbaruar sistemin e vjetër 4 vjeçar ose sistemin e ri trevjeçar. Rreth 20 deputetë kanë më shumë se një diplomë universitare dhe rreth 4 deputetë kanë më shumë se dy diploma.
Duke krahasuar Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 me atë të marsit 1991, rezulton se Parlamenti i parë pluralist kishte në përbërjen e tij 52 deputetë me tituj shkencorë, pjesa më e madhe e tyre profesorë dhe pedagogë në universitet, kurse më 2014 dominojnë biznesmenët.
Në parlamentin aktual ka numër rekord biznesmenësh: 35, shumica e të cilëve merren me fushën e ndërtimit ose me aktivitete të tjera të lidhura me ndërtimin, si industri fitimprurëse gjatë tranzicionit. Sipas studimit, një pjesë e deputetëve nuk pranojnë të publikojnë CV e tyre, një pjesë tjetër e ndryshon CV në varësi nga nevojat politike të ditës dhe fushata elektorale, një pjesë tjetër ka të dhëna të përgjithshme dhe të parëndësishme duke iu larguar të dhënave thelbësore. Në këto rrethana, burimi i vetëm i verifikimit mbetet bashkimi i burimit zyrtar me të dhënat e verifikuara në institucione të tjera ku deputetët aktualë kanë punuar ose në fletëpalosjet e tyre në fushatë elektorale.
Studimi tregon se 79 % e deputetëve që përbëjnë dhe shumicën kanë mbaruar studimet e tyre ose edhe të avancuara në universitetet shtetërore të Tiranës. Më pas në vendin e dytë janë deputetët e diplomuar në Universitetin e Shkodrës, të ndjekur nga ato në universitete private. Më pak se 10 deputetë kanë studiuar në universitetin e Kamzës dhe pjesa tjetër në disa universitete lokale, kryesisht në Korçë, Elbasan apo në universitete të tjera private që ndodhen në Tiranë.
Nga studimi rezulton se vetëm dy deputetë kanë kryer jashtë vendit të gjitha ciklet e studimeve, kurse pjesa më e madhe e tyre kanë kryer jashtë studime të avancuara, kryesisht në Francë e Itali. Dy deputetë janë diplomuar në Turqi, një në Rumani, tre në Tetovë (Maqedoni), si dhe një numër minimal deputetësh në Gjermani, Belgjikë, Austri apo SHBA. Në gjashtë raste deputetët janë diplomuar në universitete private shqiptare, një pjesë e të cilëve edhe në programe që ende nuk janë akredituar zyrtarisht ose që janë në procese shqyrtimi.
Bie në sy tendenca e deputetëve të ardhur rishtas në politikë për të kërkuar diploma të reja universitare, ndaj rreth 10 prej tyre vijojnë studimet në disa universitete private, madje njëri prej tyre është regjistruar vetëm pak muaj më parë.
Shumica juristë, por me studime part time
Nga studimi rezulton se rreth 31 deputetë, ose më shumë se një e pesta e parlamentit janë diplomuar në juridik. Por shumica e tyre nuk kanë studiuar juridik në sistemin e ditës full time, por në sistemin e fundjavës ose të korrespodencës.
20 deputetë kanë diplomë juridike si studime të dyta plotësuese ose përmes sistemit part time. Madje në pesë raste deputetët deklarojnë se kanë nisur studimet në juridik në moshën 38-42 vjeçare dhe janë diplomuar 4-5 vite më vonë, kryesisht në universitete private në Shqipëri e Maqedoni ose në universitete periferike shtetërore e private. Profesioni i dytë për deputetët lidhen me diplomat në ekonomik, biznes, menaxhim, marketing, etj.
Kategoria e tretë e profesioneve të deputetëve janë inxhinierët (pjesa më e madhe e këtyre deputetëve nuk e kanë ushtruar asnjëherë profesionin për të cilin janë diplomuar), si dhe mjekët, ku spikasin katër kardiologë.
Berisha e Dokle, deputetë nga 1991
Më shumë se një e treta e parlamentit sot është me prurje të reja. 55 deputetë janë prurje e re në politikë dhe në parlament, pra pa eksperiencë politike në nivele të larta të politikës dhe vendimmarrjes. 5 deputetë janë rikthyer në parlament pas një periudhe katër ose më shumë vjeçare jashtë parlamentit, kurse pjesa tjetër e deputetëve u konfirmua. 14 deputetë rezultojnë me mandate më të shumta parlamentare, tre prej të cilave nuk kandiduan në zgjedhjet e vitit 2013.
Deputetët me më shumë mandate parlamentare, pa ndërprerje prej vitit 1991, janë Berisha (PD) dhe Dokle (PS), i pari ish-president dhe dy herë ish kryeministër, i dyti ish-kryetar parlamenti dhe ish zv/kryeministër.
“Nëse Berisha në të gjitha rastet ka qenë vetë hartuesi i listës, pra edhe autori me të drejtë të përfshirjes së emrit të tij në listë (përfshirë 1996 kur njëherësh ishte edhe President), në rastin e Dokles është interesante sesi një figurë politike pa peshë specifike në vendimmarrjen e lartë politike të PS ka arritur të mbijetojë në çdo zgjedhje, si në sistemin mazhoritar, në ate miks dhe në atë proporcional me lista të mbyllura”, vlerëson studimi.
Pas tyre me nga një mandat më pak janë Gramoz Ruci, Kastriot Islami, Ilir Meta, tre deputetë të majtë, por Islami tashmë i zgjedhur për herë të shtatë, mandatin e fundit nga e djathta.
/gazeta "Dita"/





