Një studim i ri tregon se ora e brendshme e trupit, e njohur si ritmi cirkadian, mund të luajë një rol kyç në rrezikun për zhvillimin e demencës.

Studiuesit kanë zbuluar se personat me orë biologjike më të çrregullt kanë gjasa më të larta për t’u prekur nga kjo sëmundje neurodegjenerative.

Hulumtimi, i publikuar në revistën Neurology të Akademisë Amerikane të Neurologjisë, tregon se individët, aktiviteti ditor i të cilëve arrin kulmin më vonë gjatë ditës kanë 45 % më shumë rrezik për demencë, ndërsa ata me ritme biologjike më të paqëndrueshme kanë gati 2.5 herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen.

Ritmi cirkadian rregullon ciklin 24-orësh të gjumit, aktivitetit fizik, hormoneve dhe temperaturës së trupit dhe ndikohet fort nga drita natyrale.

Kur ky ritëm është i qëndrueshëm, trupi funksionon në harmoni me ditën dhe natën. Kur është i çrregullt, kjo mund të ndikojë negativisht në shëndetin e trurit.

Studimi përfshiu mbi 2,000 persona në Shtetet e Bashkuara, me moshë mesatare 79 vjeç, të cilët u ndoqën për tre vite.

Gjatë kësaj kohe, 176 pjesëmarrës zhvilluan demencë.

Ekspertët theksojnë se me kalimin e moshës, ora biologjike dobësohet natyrshëm, por zakone të thjeshta si gjumi i rregullt, aktiviteti fizik dhe ekspozimi ndaj dritës së mëngjesit mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit mendor.