Puna nga shtëpia mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e lindshmërisë. Një studim i fundit që përfshin 38 vende të botës, përfshirë edhe Europën, tregon se çiftet që punojnë nga shtëpia të paktën një ditë në javë kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë.

Sipas kërkimit, fertiliteti gjatë jetës rritet me rreth 0.32 fëmijë për grua kur të dy partnerët punojnë nga shtëpia, krahasuar me çiftet që punojnë vetëm në zyrë.

Studimi, i publikuar nga National Bureau of Economic Research, analizon të dhënat e personave nga mosha 20 deri në 45 vjeç dhe përfshin si lindjet e realizuara, ashtu edhe planet për fëmijë në të ardhmen.

Rezultatet tregojnë se kur asnjëri partner nuk punon nga shtëpia, mesatarja është 2.26 fëmijë për grua. Nëse  gruaja punon nga shtëpia, kjo shifër rritet në 2.48, ndërsa kur të dy partnerët punojnë nga shtëpia, arrin në 2.58 fëmijë.

Ekspertët shpjegojnë se puna nga shtëpia e bën më të lehtë balancimin mes jetës familjare dhe punës, duke nxitur çiftet të kenë më shumë fëmijë. Një tjetër faktor është se familjet me fëmijë priren të zgjedhin punë më fleksibël, ndërsa mundësitë për punë në distancë rrisin aksesin në profesione më miqësore për prindërit.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se politikat që imponojnë një model të vetëm pune për të gjithë mund të kenë efekte negative, duke ulur kënaqësinë dhe produktivitetin e punonjësve.

Ndërkohë, puna në distancë dhe ajo hibride konsiderohen si një mundësi për të rritur punësimin, veçanërisht për prindërit, kujdestarët dhe personat me aftësi të kufizuara.