Biblioteka Publike e Durrësit hapi sot dyert për promovimin e studimit shkencor “Historia e novelës grafike dhe e karikaturës”, e autorit Oltsen Gripshi.

Pas një pune voluminoze 6-vjeçare, Gripshi sjell në duart e lexuesve një botim të parin në llojin e tij dedikuar pikërisht novelës grafike dhe karikaturës, që pavarësisht se në tregun e botimeve lëvrohen prej mëse 8 dekadash, pak ose aspak dihet për historikun e tyre.

Në botimin mbi 400 faqe, Gripshi sjell një ekspoze të plotë që nga pikënisja dhe deri në ditët tona të evoluimit të novelës grafike dhe karikaturës dhe emrat e mëdhenj të artit shqiptar që i lëvruan këto dy zhanre të artit pamor, si Agim Faja dhe Safo Marko.

Në sallën qendrore të bibliotekës, nxënësit e shkollave dhe mësuesit e tyre patën mundësi që krahas promovimit të studimit shkencor të shihnin nga afër shumë nga revistat e dikurshme për fëmijë e të rritur si “Yllkat”, “Fatosi”, “Hosteni” “Ylli” etj, ku ilustrimet shumëngjyrëshe zinin vendin kryesor.

Për njerëzit e letrave dhe të artit, ky botim mbart vlera të mëdha.

Në faqet e botimit voluminoz të Gripshit zë një vend të veçantë edhe historiku i zhvillimit të novelës grafike dhe karikaturës në botë. Në këtë mënyrë, lexuesi i kujdesshëm merr një informacion të zgjeruar dhe të gjithanshëm për këto dy zhanre shumë pak të njohura deri më tani.

M.B.