19 qershor 2015 – Sipas përfundimit të një studimi për indeksin e jetesës, nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për vitin 2015, në jetën e shqiptarëve, paratë janë gjëja më e rëndësishme.
Njësoj si shqiptarët janë përgjigjur vetëm ukrainasit, duke vlerësuar paranë si gjënë kryesore. Ndërkohë, pjesa tjetër e Europës vë theksin te kënaqësitë e jetës, shëndeti, edukimi etj. Pjesëmarrësit që i janë përgjigjur pyetësorit janë grupmosha të reja.
Në Shqipëri kanë dhënë këto përgjigje, duke i renditur sipas rëndësisë:
1. Të ardhurat – Ndoshta për faktin se, shifrat e larta të papunësisë në mesin e të rinjve dhe varësia ekonomike nga familja, i shtyjnë ata të mendojnë vetëm për paratë.
2. Kënaqësitë e jetës – E kush nuk dëshiron të jetojë jetën në maksimum, me të gjitha kënaqësitë e mundshme.
3. Barazpesha mes punës dhe jetës – Duket se nuk ka dëshirë të madhe për karrierë, duke lënë pas dore aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë edhe familjen.
4. Puna – Tregu shqiptar ende nuk garanton një shifër të kënaqshme punësimi, për të rinjtë që diplomohen.
5. Shëndeti – Ndoshta edhe pozicionimi kaq lart mund të jetë surprizë, pasi shumë herë thuhet se ne jemi të pakujdesshëm për shëndetin.
6. Arsimi – Megjithëse universiteto-mania është shumë e përhapur ndër shqiptarët, sërish arsimimi renditet vetëm në vendin e gjashtë.
7. Strehimi – Çështjet e pronave dhe rëndësia e të pasurit një shtëpi, duket se janë ndër shqetësimet kryesore për shqiptarët.
8. Siguria – Me sa duket, për personat e pyetur, ky aspekt është ende në pikëpyetje në Shqipëri.
Në tri vendet e fundit për nga rëndësia, shqiptarët kanë zgjedhur komunitetin, mjedisin dhe angazhimin social.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/