Dy studime të fundit morën skanime të hollësishme të trurit të grave në periudha të shumta gjatë ciklit menstrual, duke zbuluar se vëllimi ose trashësia e zonave të caktuara ndryshon në sinkron me nivelet e hormoneve.
Rajonet e trurit të theksuara nga të dy studimet janë ato të sistemit limbik, një grup strukturash të trurit që rregullojnë emocionet, kujtesën dhe sjelljen.
“Është sikur truri të jetë në një slitë çdo 28 ditë ose më shumë, në varësi të gjatësisë së ciklit“, tha për “Washington Post” Erika Comasco, një profesore e asociuar e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Universitetin Uppsala në Suedi.
Rëndësia e këtyre hetimeve është se ato ndërtojnë njohuri për ndikimin e këtyre luhatjeve hormonale në mënyrën se si është strukturuar truri. Këto ndryshime në tru mund ose jo të ndryshojnë mënyrën se si ne në të vërtetë veprojmë, mendojmë dhe ndjejmë në jetën tonë të përditshme. Kështu që hapat e ardhshëm të rëndësishëm për shkencën janë bashkimi i këtyre pjesëve të enigmës.
Por sa ndikojnë efektet hormonale në strukturën e trurit se si funksionon në fund të fundit truri? Gjatë periudhës që shënon fillimin e ciklit menstrual, hormonet janë në nivele të ulëta. Mirëpo, ato rriten në mënyrë dramatike brenda pak javësh. Nivelet e estrogjenit në gjak rriten tetë herë në ovulim, rreth ditës së 14-të, ndërsa nivelet e progesteronit rriten 80-fish rreth 7 ditë më vonë. Prodhimi i hormonit stimulues të folikulit nxit zhvillimin e një folikuli në një vezë të pjekur, ndërsa një rritje e hormonit luteinizues bën që veza të lirohet.
Një cikël përsëritet çdo 24 deri në 38 ditë deri në menopauzë, që do të thotë se femra mesatarisht përjeton rreth 450 perioda në jetën e saj. Viktoriya Babenko, e cila kreu studimin dhe kolegët e saj në universitet përdorën metoda të avancuara në imazhin e rezonancës magnetike (MRI) për të hartuar ndryshimet strukturore në të gjithë trurin gjatë tre fazave të ciklit menstrual; ovulacioni, menstruacionet dhe mesi i ciklit luteal.
Faza e mesme luteale ndodh midis ovulacionit dhe menstruacioneve dhe karakterizohet nga kulmi i hormonit progesteron. 30 grave pjesëmarrëse të reja me cikle normale iu mor gjak gjithashtu për të regjistruar me saktësi nivelet e tyre të hormoneve në kohën e skanimit. Përqendrimet më të larta të estrogjenit dhe hormonit luteinizues, një hormon i rëndësishëm në rregullimin e funksionit të vezoreve te gratë u shoqëruan të dyja me ndryshime që sugjeronin transferim më të shpejtë të informacionit. Lënda e bardhë është indi më i thellë i trurit i përbërë nga fibra nervore që transmetojnë informacion te pjesët e korteksit të jashtëm cerebral, i njohur gjithashtu si lënda gri. Kjo e fundit u bë më e trashë me një rritje të hormonit stimulues të folikulit që nxit maturimin i folikulit në vezore, i cili është i nevojshëm për prodhimin e estrogjenit.