DURRËS, 16 qershor 2013 – E përjavshmja letrare, kulturore dhe sociale “Osvit” (Agimi) e Mostarit (Bosnjë-Hercegovinë), në numrin e saj të fundit, 1- 4 / 2012, që sapo ka dalë nga shtypi në Kroaci, ka botuar edhe krijime të autorëve shqiptarë Mujë Buçpapaj, Lida Lazaj, Milianov Kallupi dhe Fatmir Minguli.
Krijuesit durrsak Fatmir Minguli i është botuar eseja “Nëpër monopatet e Velebitit me Haiku” (Po puteljcima Velebita s haiku poezijom).
Shkrimi i kushtohet veprës “ Velebit” të poetit të njohur kroat Tomislav Marijan Bilosniç.
Po ashtu, vitin e kaluar Mingulit i janë botuar në Rumani dy tregime.
Info/
Fatmir Minguli (lindur në vitin 1946), ka përfunduar studimet për inxhinieri elektrike, ka qenë kryeinxhinier në ish-uzinën mekanike bujqësore në Shkozet, kryetar i ish-komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit Durrësit (ku përfshihej dhe Kavaja deri në Rrogozhinë), deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Ka bërë punë të rëndomta për sigurimin e jetesës, por njëkohësisht ka drejtuar dhe kurse dhe projekte formimi profesional.
Ka botuar libra teknikë-profesionalë (“Boshtet kardanike në makinat bujqësore”, “Makinat me zgarë aktive në përpunimin e tokës”, “Panelet diellore për ngrohjen e ujit”) deri dhe gastronomik (“Erëza, pikante dhe salca”).
Është pedagog në UAMD, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën.
Ashtu si dhe i vëllai, poeti dhe prozatori Pirro Minguli, Fatmiri ka një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe historinë, duke shkruar me dhjetëra studime të botuar në të përditshmet kombëtare shqiptare dhe që kanë ngjallur interes për origjinalitetin, si dhe tregime.
Gjithçka i ka përmbledhur në librat “Tjetërlloj – Ese dhe kritika letrare”, “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”, “Kanuni i përkitur”.
Një ndihmesë me vlerë për Durrësin është edhe libri i tij, me bashkautor studiuesin e njohur shijakas Halim Maloku “Lexikon: krijues të Durrësit: histori, arkeologji, letërsi” (Durrës: Pavarësia, 2012).
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah/





