Një alarm serioz është ngritur për qytetin e Bolonjës në veri të Italisë, ku studiuesit paralajmërojnë për një fenomen gjithnjë e më shqetësues: fundosjen graduale të tokës.
Sipas ekspertëve, në disa zona të qytetit, toka po ulet me një ritëm prej mbi 2 centimetra në vit – një shifër që, në disa raste, ka arritur deri në 3 metra gjatë dekadave të fundit. Rreziku më i madh, sipas tyre, është shtimi i përmbytjeve dhe pasojat që kjo sjell në mjedis, ekonomi dhe infrastrukturë.
Fenomeni, i njohur më parë në vende si Holanda, lidhet me ndryshimet klimatike dhe veprimtarinë njerëzore – veçanërisht me shfrytëzimin e tepruar të ujërave nëntokësore, që çon në tharjen dhe rrudhosjen e shtresave të argjilës.
Alarmi u dha gjatë një konference të organizuar nga Confindustria Emilia-Romagna, ku studiuesit Giovanni Martinelli dhe Andrea Dadomo bënë thirrje për masa të menjëhershme dhe investime të mëdha në infrastrukturë për të mbrojtur territorin.