Miliona njerëz në botë akoma nuk janë ambientuar me realitetin që ka krijuar Covid-19 edhe pse ka kaluar më shumë se një vit që ky virus është prezent në jetën tonë.
Një ndër masat mbrojtëse që morën të gjitha qeveritë nëpër botë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ishte mbajtja e maskës, ku në shtete të caktuara janë të detyrueshme si në ambientet e mbyllura ashtu dhe në ato të hapura.
Një burim për gazetën angleze “Metro”, ka deklaruar se maskat janë tepër efikase dhe kanë rol parësor në uljen e infektimeve, duke nisur nga Britania e Madhe e më gjerë.
Por, me uljen e rasteve dhe imunizimit të qytetarëve përmes vaksinave, kjo masë, mund të hiqet përfundimisht gjatë verës. Edhe dimri nuk do të jetë i ashpër si gjatë dimrit që lamë pas, pasi supozohet se shumica e popullsisë do të jetë e imunizuar.
Po i njëjti burim, duke iu referuar situatës së COVID-19 në Britaninë e Madhe, tha për “Metro” se në Ishull, mund të ketë lehtësim të masave. Sipas tij, personat që kanë marrë dy dozat e vaksinës, mund të takohen lirisht dhe të kenë qasje në shumë aktivitete që deri më tani janë të ndaluara në Britani.





