Taurina është një derivat i aminoacidit cisteinë që trupi ynë prodhon natyrshëm dhe që, përveç kësaj, është gjithashtu i pranishëm në një seri ushqimesh specifike.
Këtë substancë e gjejmë tashmë në çdo pijë energjike pasi ajo shërben për stimulim të sistemit nervor dhe ne shpesh u drejtohemi këtyre pijeve për një aktivitet më të fortë fizik.
E habitshme, por sipas një studimi të publikuar së fundmi rezulton se pikërisht ky aminoacid mund të përmbajë sekretin e një jete më të gjatë.
Shkencëtarët kanë zbuluar se një dozë e lartë ditore e taurinës ndihmoi në vonimin e vdekjes dhe zbutjen e efekteve të plakjes te kafshët. Për shkak të gjetjeve premtuese në studimet e kafshëve, ata thonë se i njëjti efekt mund të jetë dhe te njerëzit. Kjo pasi taurina është e pranishme në trupin tonë.
“Bollëku i taurinës bie me kalimin e moshës dhe këto gjetje janë të rëndësishme për njerëzit,” tha Vijay Yadav, i cili drejtoi kërkimin në Universitetin e Kolumbisë.
Henning Wackerhage, një profesor në Universitetin Teknik të Mynihut, e mbështeti këtë studim dhe bëri thirrje për hulumtime të mëtejshme.
Deri në moshën 60 vjeç, nivelet e taurinës te një person mesatar bien në një të tretën e atyre që shihen tek 5-vjeçarët. “Sa më e lartë taurina, aq më rinore është pamja te njerëzit”, theksojnë studiuesit.
Plotësimi i taurinës ndikon pozitivisht në aspekte të ndryshme të plakjes, duke përfshirë densitetin e kockave, forcën e muskujve, kujtesën dhe funksionin e sistemit imunitar.