Florida dhe Kuba janë bërë gati për tu përballur, siç u paralajmërua nga autoritetet me stuhinë tropikale Idalia, që pritet të intensifikohet këtë të martë, me kalimin e orëve, në një Uragan të kategorisë së tretë.
Forca e saj do të rritet përpara se të përplaset në Florida në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Po ashtu, një tjetër stuhi, Franklin, po kërcënon të gjithë bregun lindor amerikan si dhe ishujt Bermuda.
Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, i ka bërë thirrje banorëve që të përgatiten për një stuhi të fortë, me pasoja të mëdha. E në fakt, raftet e supermarketeve janë boshatisur, me miliona amerikanë të furnizuar me ujë e ushqime, për javë të tëra. Po ashtu, amerikanët kanë menduar të furnizohen edhe me naftë e gaz, pasi për shkak të fuqisë së erës, mund të ketë probleme në pikat e furnizimit. Aktualisht Idalia është përplasur në bregun perëndimor të Kubas. Paralajmërimet për probleme nga shiu dhe fuqia e erës janë dhënë edhe në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe atë të jugut.