Prej mbrëmjes së të hënës, i gjithë vendi është përfshirë me stuhi të forta me reshje shiu dhe erë të fuqishme me shpejtësi deri në 70 km/orë në det.
Sipas sinoptikanëve, ditën e martë vranësirat dhe shirat e herëpashershme dominojnë pjesën më të madhe të vendit deri pasdite kur vranësirat fuqizohen duke sjellë reshje të dendura në ultësirën perëndimore. Gradualisht gjatë natës, reshjet intensifikohen në gjithë vendin dhe vijojnë të konsiderueshme deri të mërkurën në mëngjes.
Temperaturat e ajrit rriten ndjeshëm gjatë mëngjesit me 2-3 gradë celcius, por një rënie të lehtë sjellin orët e mesditës, si pasojë e vranësirave dhe reshjeve.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi permanent jugor duke krijuar në det dallgë 5 ballë.
Ndërsa të mërkurën do të kemi sërish ulje temperaturash me 2-3 gradë.






