Në Greqi, njerëzit po llogarisin koston e përmbytjeve shkatërruese, që goditën qendrën e vendit pas stuhisë Daniel në fillim të shtatorit.

Pemët frutore, misri dhe rreth një e pesta e prodhimit të pambukut në Greqi janë shkatërruar dhe mbi 200,000 kafshë dhe shpendë janë vrarë.

Vlerësimet nga akademikët sugjerojnë se vetëm efektet afatshkurtra mund t’i kushtojnë ekonomisë greke deri në 5 miliardë euro.
Një nga zonat më të goditura është fusha e Thesalisë, në Greqinë qendrore.

Thesalia është një nga rajonet kryesore bujqësore të vendit dhe ka frikë për ndikimin në prodhimin e ushqimit.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kishte premtuar ndihmë të shpejtë për viktimat e përmbytjeve.

Duke folur menjëherë pas katastrofës, ai tha se Greqia kishte “aftësitë financiare dhe mekanizmin për ndihmë të shpejtë”, në mënyrë që njerëzit të mund të “rifillonin jetën e tyre, të riparonin shtëpitë e tyre… dhe të operonin përsëri bizneset e tyre.”