Kontinenti i Vjetër do të përballet me acar arktik.

Britania tashmë është goditur nga Carline, stuhia e acarit nga Arktiku, e cila po shoqërohet me erëra të fuqishme, reshje dëbore dhe temperatura të ulëta dhe si duket, ajo do të përhapet edhe në pjesët e tjera të Evropës.

Kjo është stuhia e dytë që goditi Britaninë.

Erërat me shpejtësi 140 kilometra në orë kanë sjellë një periudhë dhjetëditore të acarit dhe borës, ndërsa temperaturat në ishull kanë rënë në minus 12 gradë Celsius.

Pritet se stuhia do të lëvizë më tutje drejt lindjes dhe do të kaploi Francën. Siç raportuan mediat britanike, meteorologët ende nuk janë të sigurt se nga do të lëvizë stuhia më tutje, por shumica prej tyre janë të mendimit se do të lëvizë drejt jugut dhe lindjes, pra drejt Evropës.

Pamjet dramatike nga Britania tashmë kanë filluar të shpërndahen, me ç’rast mund të shihen automjete të ngujuara në borë apo të cilat kanë rrëshqitur dhe kanë dalë jashtë rrugëve. Në Skoci tashmë kanë rënë tetë centimetra borë.

Në anën tjetër, autoritetet në Spanjë dhe Portugali kanë tërhequr sot vërejtjen nga erërat e fuqishme dhe reshjet e rrëmbyeshme, të cilat do të shoqërojnë stuhinë, e cila Gadishullit të Pirinejeve po i afrohet nga Atlantiku. Sipas autoriteteve spanjolle, rreziku më i madh që do të sjellë me vete stuhia Ana janë erërat e fuqishme, të cilat mund të arrijnë shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.