KATANIA, 21 shkurt 2013 – Stuhia shkatërruese që goditi qytetin e Katanias në Itali ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Pamjet filmike dhe fotot e shkrepura në rrugën Etnea dhe sheshin Duomo dëshmojnë më së miri furinë e stuhisë që goditi qytetin italian ditën e sotme. Pronarët e bareve dhe restoranteve që kishin lënë karriket, tavolinat dhe çadrat jashtë i panë t’u zhduken brenda pak sekondash, të marra përpara nga rrjedha e ujit që vërshoi në qytet.
Një “lum” i vërtetë mori përpara gjithçka gjeti në rrugën Etnea, ndërkohë që shumë makina mbetën të bllokuara në mes të rrugës dhe sheshit, pa asnjë mundësi lëvizjeje. Disa prej tyre rrjedha e furishme e ujit i zhvendosi para pallatit historik Chierici, që së bashku me bashkinë e qytetit u përmbyt nga uji.
Siç njoftojnë mediat italiane deri tani figuron një person i zhdukur, ndërkohë që shumë banorë u ngjitëb në taracat e pallateve. Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se nuk ishin paralajmëruar për ndryshimin ekstrem të kushteve sinoptike.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/