Për shkak të motit të keq që ka pushtuar vendin tonë në këtë të diel të parë të gushtit, një incident ka ndodhur me tragetin e kompanisë “AdriaFerries” në portin e Durrësit.

Ai ndodhej i ankoruar në terminalin e trageteve dhe për shkak të stuhisë së pasdites, iu këputën cimat duke sjellë si pasojë edhe përplasjen me bankinën.

Veç kësaj, trageti rrezikonte që të përplasej edhe me tragetet dhe anijet e tjera të peshkimit që ishin të ankoruara në kalatë.

Menjëherë u njoftua salla e Kapitanerisë dhe mësohet se në det kanë dalë dy rimorkiatorë që po bëjnë ankorimin e tragetit në kalatë.

Të gjitha anijeve u është dhënë urdhër që të lidhen dhe të qëndrojnë pranë në vende të sigurta për të shmangur mbytjet apo përplasjet.

Gjithë deti Adriatik është shoqëruar nga moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë gjatë kësaj të diele.