Një stuhi gjeomagnetike e fuqishme ka goditur Tokën, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike në Puerto Rico. Mbi 1.4 milionë banorë mbetën pa energji të mërkurën, pasi rrjeti elektrik i ishullit pësoi kolaps në orët e mesditës.
Ndërprerja ndodhi pikërisht kur stuhia kishte arritur nivelin G4, një nga më të lartët në shkallën prej pesë pikësh, që mat intensitetin e stuhive diellore. Ekspertët shpjegojnë se rrymat e induktuara nga aktiviteti diellor mund të kenë mbingarkuar sistemet e transmetimit, veçanërisht në një rrjet të brishtë si ai i Puerto Ricos.
Sipas autoriteteve, gjithçka nisi nga një defekt në linjat e transmetimit, i cili më pas aktivizoi fikjen automatike të të gjithë gjeneratorëve, duke lënë të gjithë ishullin në errësirë. Kompania Luma Energy tha se brenda një dite rreth 90% e furnizimit me energji është rikthyer, ndërsa vijojnë punimet për të stabilizuar sistemin.
Ndërkohë, jetesa në ishull u paralizua për orë të tëra: qindra biznese u mbyllën, përfshirë qendrën më të madhe tregtare në Karaibe, spitalet dhe aeroporti kaluan në gjeneratorë rezervë, ndërsa udhëtarët e trenave u detyruan të ecin në këmbë për të dalë nga linjat.
Stuhia diellore nisi të martën dhe kulmoi të mërkurën, duke ndikuar edhe sistemet GPS në SHBA dhe Afrikën e Jugut, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të bëhen më të shpeshta me rritjen e aktivitetit diellor në vitet në vijim.