Aeroporti i Frankfurtit ka anuluar këtë mëngjes dhjetëra fluturime për shkak të borës dhe akullit, njoftoi kompania Fraport, që menaxhon aeroportin.
Nga 1.052 fluturime të planifikuara për sot, 98 janë anuluar që në orët e para të mëngjesit, tha një zëdhënës i Fraport për Agjencinë Gjermane të Lajmeve, duke shtuar se numri mund të rritet në varësi të kushteve atmosferike.
Ekipet për trajtimin e kushteve dimërore janë angazhuar në gjithë aeroportin, ndërsa 34 automjete për heqjen e akullit po punojnë në zonat e parkimit të avionëve.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimit para se të nisen drejt aeroportit dhe të llogarisin kohë shtesë për udhëtimin.
Gjithashtu, udhëtarëve u kërkohet të paraqiten në aeroport të paktën tre orë para nisjes.
Shërbimi meteorologjik kombëtar i Gjermanisë, DWD, ka lëshuar paralajmërime për akull dhe ngrica në pjesë të landit Hessen, ku ndodhet aeroporti i Frankfurtit.





