Një stuhi ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në mbi 2.000 qytete dhe fshatra në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Infrastruktura e energjisë është shënjestruar vazhdimisht nga forcat ruse dhe Kievi ka paralajmëruar se Moska po përgatitet për sulme të reja ndaj ndërtesave kyçe të energjisë gjatë këtij dimri.
“Në total, 2.019 vendbanime në 16 rajone janë shkëputur nga sistemi i energjisë”, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës.
Të paktën 1.370 kamionë me mallra dhe 840 makina janë dëmtuar për shkak të dëborës, që në disa rajone ka arritur deri në dy metra. Sipas Ministrisë së Brendshme, pjesa jugore dhe qendrore e Ukrainës është goditur më së keqi.
Mbi 1.500 punëtorë të shpëtimit janë përfshirë në përpjekjet për të larguar dëborën, por edhe makinat e bllokuar nëpër rrugë. Kompania pritave e energjisë në Ukrainë, DTEK, tha të hënën se ka arritur të kyç sërish në sistemin energjetik pothuajse 250 vendbanime.
Në qytetin jugor të Odesës, që ka qenë subjekt i sulmeve të vazhdueshme ruse, autoritetet thanë se kanë ndihmuar 1.624 persona që ishin bllokuar për shkak të dëborës. Autoritetet rajonale thanë se temperaturat kanë rënë në minus dhe erërat po fryjnë deri në 72 kilometra në orë.
Rusia që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, dimrin e kaluar sulmoi pareshtur sistemin energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona ukrainas pa rrymë për periudha të gjata kohore gjatë ditëve të ftohta të dimrit. /REL