Shtatë persona kanë gjetur vdekjen në Gjermani, prej stuhisë së fuqishme “Xavier”, të përplasur furishëm mbi verilindjen e vendit. Me erëra që mbërrinin shpejtësinë 115 km në orë, ajo ka bllokuar rrugë e ka rrëzuar pemë, duke mbjellë panik mes banorëve.

Katër prej viktimave vdiqën në automjetet e tyre, dy të shtypur prej pemëve që u ranë sipër. Paralajmërimet e autoriteteve janë për një stuhi të kategorisë së tretë, që mund të mbërrijë nivelin e katërt, gjë që detyroi zyrtarët e Emergjencës Civile të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona të vendit, përfshirë Berlinin, ku njerëzit janë këshilluar të mos dalin nga shtëpitë derisa stuhia të jetë larguar.

Hekurudhat gjermane e ndaluan përkohësisht lëvizjen e trenave, e vonesa pati edhe nëpër aeroporte. Disa pjesë të sistemit të metrosë në kryeqytet u mbyllën. Një sërë segmentesh rrugore, si ai që lidh Berlinin me Hamburgun, mbetën të pakalueshme, ndërsa mijëra vetë janë ende pa energji elektrike.