· Më 25 korrik 2014 Gjykata e Tiranës, urdhër ekzekutimi për kontratën e kredisë bankare që ka marrë kompania Primagas Albania në Bankën Kombëtare Tregtare më 5 nëntor 2009
· Aksionari i vetëm, z. Ilir Karçini, që ka caktuar si administratore të shoqen, znj. Rovenë Karçini, është arrestuar më 1 shkurt 2014 si i dyshuar për porosi atentati ndaj biznesmenit të njohur të importimit të gazit dhe ndërtimit të portit, Pirro Bare
DURRËS, 27 korrik 2014 – Nga procesi penal në atë civil, impianti modern i depozitimit të gazit në Porto Romano u konfiskua nga turqit e Bankës Kombëtare Tregtare dhe do të dalë në ankand për të shlyer kredinë 1 milion euro, që ka marrë aksionari i vetëm i shoqërisë “Primagas Albania”, z. Ilir Karçini, i cili së bashku me bashkëshorten, znj. Rovenë që dolën dorëzanë.
“Dyrrah”-u ka siguruar vendimin e nënshkruar më 25 korrik 2014 nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, z. Arben Kostandini për urdhër ekzekutimi për kontratën e kredisë bankare prej 1 milionë euro, që ka marrë kompania e njohur e tregtimit të lëndëve energjetike Primagas Albania në Bankën Kombëtare Tregtare më 5 nëntor 2009 (shih faksimilen dhe tekstin poshtë).
Aksionari i vetëm, z. Ilir Karçini, që ka caktuar si administratore të shoqen, znj. Rovenë Karçini, është arrestuar më 1 shkurt 2014 (në foto poshtë) si i dyshuar për porosi atentati ndaj biznesmenit të njohur të importimit të gazit dhe ndërtimit të portit, Pirro Bare (Inter Gaz., Port Construction, A&V-Gas, Alba – Oil).
Info
Shoqëria Primagas Albania u themelua në vitin 2006 nga z. Ilir Karçini, aksionar i vetëm.
Është subjekt tregtar dhe vepron në tregun e përpunimit, transportit me shumicë e pakicë të naftës e nënprodukteve të saj.
Vazhdimisht ka zgjerua kapacitetin depozitues nëpërmjet ndërtimit të depozitave të reja rreth qyteteve kryesore shqiptare me përparësi strategjike.
Zotëron impiante magazinimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, dhe gjithashtu ka ndërtuar kohët vend-depozitimi sipas teknologjive më moderne në Porto-Romano Durrës.
Ka ndërtuar një depozitë bregdetare për depozitimin e gazit të lëngshëm në zonën e Porto Romanos, me kapacitet 3 600 metra kub.
Është magazinë e lirë doganore, 500 metra në lindje të hidrovorit të ish-kënetës.
Në mars 2010 përfundoi punimet e ndërtimit në një impiant magazinimi të vogël, por shumë të rëndësishëm në Borakë të Shijakut.
Impianti i magazinimit ndodhet në një pozicion shumë strategjik, me akses të drejtpërdrejtë në autostradën Tiranë-Durrës.
Dokumenti
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Nr. 4186 akti
Vendim për urdhër ekzekutimi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë prej gjyqtarit Arben Kostandini, me pjesëmarrjen e sekretares gjyqësore Merita Lila, sot, më dt. 25.7.2014, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike çështjen civile që i përket:
Kërkues: Banka Kombëtare Tregtare sha, me adresë Bulevardi “Zhan D’Ark” Tiranë, përfaqësuar në gjykim nga juristja Olgerta Demko, sipas autorizimit datë 17.07.2014.
Kërkohet lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për kontratën e kredisë bankare nr. 3057 rep. nr. 1059 kol. datë 5.11.2009 lidhur midis Bankës Kombëtare Tregtare dhe shoqërisë “Primagas Albania” sha.
Në përfundim të gjykimit të zhvilluar në prani të kërkuesit, gjykata si dëgjoi kërkuesin i cili kërkoi pranimin e kërkesës, dhe pasi shqyrtoi aktet e bisedoi çështjen, vëren se nga kërkuesi Banka Kombëtare Tregtare sha është depozituar pranë sekretarisë së kësaj gjykate, kërkesa me objektin e sipërcituar.
Nga hetimi gjyqësor rezultoi se Banka Kombëtare Tregtare sha, si kredidhënës i ka akorduar Shoqërisë “Primagas Albania’’sha si kredimarrës dhe Ilir Karçini dhe Rovena Karçini si dorëzanës shumën prej 1 000 000 euro. Kjo marrëdhënie kreditimi është konkretizuar me nënshkrimin e kontratës së kredisë bankare nr. 3057 rep. nr. 1059 kol. datë 5.11.2009 dhe anekset përkatëse.
Në nenet e kontratës është përcaktuar objekti, interesi dhe ripagimi i shlyerjes së kredisë… Po ashtu, në nenin 13 të kësaj kontrate është përcaktuar se Banka ka të drejtë të ndërmarrë çdo veprim ligjor në përmbushje të detyrimit ndaj saj për kthimin e kredisë.
Rezulton se kredimarrësi nuk i ka respektuar afatet e parashikuara në kontratë, pavarësisht lajmërimeve të bëra duke mbetur debitor në vlerën 120 140 725,55 lekë që përbën principialin, interesat, penalitetet dhe gjobat e papaguara sipas vërtetimit të BKT datë 24.7.2014.
Në legjislacionin procedural civil (neni 510) përcaktohet se: “Janë tituj ekzekutivë… aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla si dhe aktet për dhënie të kredive bankare”.
Sa më sipër, gjykata çmon se kontrata e mësipërme është kthyer në titull ekzekutiv, pasi nga kredimarrësi nuk është shlyer vullnetarisht detyrimi duke mosrespektuar afatet e shlyerjes të përcaktuar në këtë kontratë dhe për këto arsye në referim të neneve 510 – 511 te K. Pr. Civile vendos pranimin e kërkesës; lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për kontratën e kredisë bankare nr. 3057 rep. Nr. 1059 kol. datë 5.11.2009 të noteres Fatbardha Kore midis BKT dhe debitorit, shoqërisë “PRIMAGAS ALBANIA” sha si kredimarrës dhe Ilir Karçini dhe Rovena Karçini si dorëzanës.
U shpall sot në Tiranë, më datë 25.7.2014
Sekretare: Merita Lila; gjyqtar: Arben Kostandini
Shpenzimet gjyqësore, taksë pulle 200 lekë.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





