Spanjë, 19 gusht 2014 – Realizimi i një ëndrre të hershme që ka nisur që në fëmijëri. Më keto fjalë u shfaq Luis Suarez para gazetarëve në ceremoninë e prezantimit si lojtar i Barcelonës. Ndryshe nga transferimet e tjera, uruguaiani mbërriti në Camp Nou mes polemikash, për shkak të atij gjesti të përsëritur në Botërorin e Brazilit, ku zakoni i tij i kafshimit të kundërshtarit u shfaq sërish në sytë e të gjithë botës. Gjithsesi 27-vjeçari i ardhur nga Liverpooli mundohet ta lërë pas të shkuarën, teksa zotohet se do të bëjë çmos për ta respektuar e për ta ngritur sa më lart flamurin me ngjyrat blaugrana.

“Prej shumë vitesh kam dashur të luaj për Barcelonën, prandaj prania ime këtu mund të quhet një ëndërr e bërë realitet. Në fakt të gjithë kur janë të vegjël e ëndërrojnë Barçën dhe unë nuk mendoja se kjo do të ndodhte ndonjëherë”.

Pas lehtësimit të penalizimit, Luis Suarez shkeli për herë të parë në fushën e gjelbër në miqësoren ndaj Club Leon.

“Ishte diçka shumë emocionuese sepse kurrë më parë nuk kam luajtur në Camp Nou. A jam unë një yll i merkatos? Jo, nuk e shikoj kështu veten. Yjet ndodhen në qiell, ndërsa unë këtu jam që të jap maksimumin për skuadrën. Ndihem i motivuar që do të luaj me emra të mëdhenj si Messi e Neymar, por edhe me gjithë të tjerët”.

Në asnjë moment, ish bomberi i Liverpoolit nuk mund t’i shmanget pyetjeve rreth incidentit me Chiellinin, ndonëse prezantimi te Barça është një nga ditët më të rëndësishme në jetën e tij.

“Kjo është një çështje personale, të cilën nuk dua ta diskutoj. Psikologu më rekomandoi që të kërkoja falje dhe unë e bëra. Tani dua të shikoj përpara dhe të përqëndrohem vetëm te futbolli. Pas këtij incidenti kam kaluar ditë me dëshpërim. Që këtej e tutje e di që do të kontrollohem në çdo gjë që do të bëj”.

Debutimi në një takim zyrtar për Luis Suarez mund të jetë në një nga ndeshjet më të nxehta të La Ligas, pasi parashikohet që penalizimi i tij të përfundojë një ditë përpara El Clasicos më 26 Tetor.

“Ka ende kohë për të folur për debutimin kundër Realit të Madridit. Nuk besoj se gjendja fizike do të jetë një problem, pasi përshtatja me skuadrën është më e rëndësishme”.

Ishte Barcelona që dëshironte dhe asnjë klub tjetër. Suarez pohoi në fund se krahas Realit ishin disa skuadra që e kërkonin, por me të marrë vesh interesimin e katalanasve, nuk donte të dëgjonte më për klubet e tjera.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/