Një studim i Cleveland Clinic në Shtetet e Bashkuara, pretendon se njerëzit që konsumojnë rregullisht speca djegës kanë 23-26 përqind më pak të rrezikuar nga vdekja e parakohshme prej kancerit apo sëmundjeve të zemrës. Sipas këtij studimi, njerëzit që hanë spec djegës janë gjithësej 25% më pak të rrezikuar nga vdekja e parakohshme nga sëmundje të tjera.
Gjetjet u bazuan në të dhënat e mbi 570,000 njerëzve nga Shtetet e Bashkuara, Italia, Kina dhe Irani. Sipas ekspertëve, ky efekt i specave djegës i atribuohet kapsicinës,që i je specit djegësinë.
Kapsicina, substanca që mbron shëndetin nga sëmundjet
Kapsicina shërben si antioksidant i fuqishëm që lufton inflamacionin dhe shkatërron mikrobet. Kjo e bën atë tepër të çmuar në luftën kundër kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe obezitetit. Kapsicina ka një reputacion të shkëlqyer kundër dhimbjeve, madje përdoret nga industria farmaceutike për kremëra dhe tretësira kundër artritit. Sa i përket shëndetit të zemrës, disa studime kanë sugjeruar se konsumi i rregullt i specit të kuq djegës ul tensionin e gjakut, kolesterolin dhe pengon trombozën.
Pavarësisht gjetjeve premtuese, ekspertët rekomandojnë kryerjen e testeve klinike për të përcaktuar sasinë, formën, frekuencën e konsumit dhe llojin e specit djegës që duhet konsumuar për të marrë prej tij të gjitha këto përfitime. Veç të tjerash, në studim theksohet se konsumi i ushqimeve me nivele të larta të kapsicinës mund të jetë acarues për gojën, stomakun dhe zorrët. Ky acarim mund të shkaktojë të vjella dhe diare ndërsa nuhatja e kapsicinës ose produkteve të saj shkakton kollë, vështirësi në frymëmarrje, lotë, të përziera, madje edhe verbëri të përkohshme.
Për këtë arsye, njerëzit këshillohen që të mos e teprojnë me konsumin e specave djegës dhe ta përfshijnë atë në një regjim të shëndetshëm ushqimor. Speci djegës mund të përdoret si zëvendësues i kripës, mund të përfshihet në shumë gatime të shijshme e të shëndetshme. Për ata që kanë tolerancë të ulët ndaj djegësisë, ekspertët këshillojnë që të përzieni specin djegës me yndyrna të shëndetshme si avokado apo arrorët sepse kapsicina tretet në yndyrë./AgroWeb