SUEDI – Bashkimi Evropian është pranë propozimit të masës për heqjen e të drejtës së shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen. Qeveria e Suedisë, sipas ministrit të Migrimit Tobias Bilstrom, e mbështet kërkesën për vendosjen e regjimit të vizave.

"Shkak për këtë është numri shumë i madh i kërkesave të pabaza për marrjen e azilit. Për momentin rreth 20% nga  azilkërkuesit në Suedi, vijnë nga vendet të cilat kanë liberalizim të vizave", thotë Bilstronm. Në këtë rast bëhet fjalë për Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Bosnjën.

Gjatë këtij viti në Suedi janë regjistruar përafërsisht 3 mijë azilkërkues nga Serbia dhe mbi 1 900 nga Bosnja e Hercegovina. Gjithsej 98% nga të gjitha kërkesat e parashtruara për azil nga vendet ballkanike marrin përgjigje negative. Përveç Suedisë, azilkërkuesit ballkanik orientohen drejt Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe Danimarkës.

Ministri suedez i Migrimit nuk dëshiron ta komentojë mënyrën në të cilën do të zbatohej e ashtuquajtura klauzola e pezullimit, duke theksuar se më parë duhet të precizohen hollësitë konkrete lidhur me vendosjen e përkohshme të vizave,  që mund të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm.

                                                                                                                                              Marrë nga gazeta “Shekulli”