“Sweden on Tour” ishte aktiviteti i mbajtur sot në sheshin “Liria” të Durrësit, ku ambasada suedeze u shfaq me të gjitha funksionet dhe projektet e saj në qytetin bregdetar.
Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori suedez Niklas Strőm, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako si dhe shumë organizata jo fitimprurëse që përgjatë viteve kanë përfituar fonde nga projektet e qeverisë dhe ambasadës suedeze.
“Jemi këtu me ambasadën suedeze për të prezantuar projektet e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida). Ne prej vitesh ndihmojmë Shqipërinë, sidomos përsa i përket integrimit në BE. Njëkoëhësisht kemi sjellë kompanitë suedeze që janë aktive në vendin tuaj”,- deklaroi ambasadori Strőm.
“Më vjen mirë që këtu kemi subjekte të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë mbështetje nga ambasada suedeze, por sigurisht dhe bashkia e Durrësit ka qenë një nga institucionet që ka përfituar nga mbështetja që ju keni dhënë”,– tha ndër të tjera kryebashkiakja Sako gjatë fjalës së saj.
Gjatë aktivitetit, të pranishmit vizituan stendat e panairit dhe u njohën nga afër me disa prej ushqimeve tradicionale suedeze, markën e njohur të automjeteve Volvo, dhe njëkohësisht u bënë pjesë e lojës suedeze “kubb”. Suedia njihet në botë si vendi prodhues i Volvos, por nga ana tjetë shumëkush njeh personazhin e Pippi Çorapegjatës, grupin mjaft të njohur ABBA, por edhe kiflet me kanellë.
Për ambasdorin Strom, vendi ynë është një destinacion turistik mjaft i preferuar nga suedezët, pasi vitin e kaluar pushuan në Shqipëri 80 mijë turistë dhe këtë sezon pritet që shifrat të jenë në të njëjtat nivele.
“Suedezët janë shumë të interesuar për Shqipërinë. Vitin e kaluar erdhën 80 mijë turistë në vendin tuaj. U regjistrua një rritje me 60 mijë turistë krahasuar me një vit më parë dhe mendoj se këtë vit shifrat do të jenë të njëjta”.
Në panairin e zhvilluar në Durrës ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga ambasadat suedeze në Prishtinë, Shkup, Nikosi, Ankara, Stamboll, Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe Bukuresht si dhe organizatat ndërkombëtare, që zbatojnë projekte të financuara nga Sida në Shqipëri.
M.B.





