Luis Hemilton ka fituar për herë të 8 në karrierë Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe në Formula 1 në pistën e Silverston, duke vendosur një rekord të ri. Britaniku, kampion bote në fuqi, ia ka dalë pas një gare shumë të veçantë, të nisur me aksident, të vazhduar me penalitet e të mbyllur me vetëm 3 xhiro në kryesim, aq sa i duheshin për suksesin e 99 në karrierë.
Në xhiron e parë të garës, pas pak kthesash, ai përplasi Verstapen i cili kryesonte, duke e nxjerrë nga gara e duke bërë që kjo e fundit të rifillonte pa holandezin. Por në vend të parë kishte kaluar Sharl Leklerk, i cili dukej se kishte një ritëm të mirë me gomat e mesme dhe po mbante pas britanikun.
Por pas ndërrimit të gomave, e pasi kreu penalitetin e tij prej 10 sekondash, Hemilton ishte i pandalshëm, duke nisur një sprint të jashtëzakonshëm në luftën drejt kreut pasi kaloi me radhë Norris e Botas, ndërsa kur mbeteshin vetëm 3 xhiro nga fusni i garës, edhe Leklerk i cili nuk arriti të mbrohej dot ndaj sulmit të britanikut.
Kështu, Hemilton siguroi një sukses historik në pistën e shtëpisë, por edhe 25 pikë të rëndësishme në luftën për titullin kampion duke shkurtuar në vetëm 7 pikë tanimë diferencën që ka me Verstapen i cili kryeson renditjen e botërorit për pilotë.