Dirigjenti Daniel Glineur u shpreh i befasuar që vetëm me tri ditë prova orkestra e harqeve interpretoi në mënyrë shumë profesionale. Ndërsa vlerësoi aftësitë interpretative të këtyre talenteve të rinj ai u shpreh mjaft i kënaqur për ta përsëritur një eksperiencë të ngjashme në të ardhmen
Orkestra e harqeve “Jan Kukuzeli” koleksionoi të enjten pasdite suksesin e radhës. Nën dirigjimin e artistit belg Daniel Glineur, nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle artistike ofruan një nga performancat e tyre më të mira. Si rrallë herë salla e odeonit “Nikolin Xhoja” ishte mbushur plot e përplot, madje shumë prej spektatorëve qëndruan në këmbë për rreth një orë, aq sa zgjati mbrëmja muzikore.
Numrat artistikë të seleksionuar për këtë natë ishin alternuar mes pjesëve muzikore të luajtura nga orkestra e harqeve dhe atyre të luajtur e interpretuar nga solistë të veçantë. Ashtu si çdo të enjte tjetër muzikore skena e odeonit mirëpriti instrumentistët e vegjël që sapo kanë hedhur hapat e parë në fushën e artit, por dhe ata që tashmë janë në vitet e fundit të kësaj shkolle artistike.
Në program ishin përfshirë pjesë nga kompozitorë të njohur vendas dhe të huaj si Limoz Dizdari, Mozart, Brahms, Bocherini, Musorgski etj. Megjithëse, së bashku me dirigjentin belg orkestra kishte zhvilluar vetëm tri ditë prova, koncerti i së enjtes tregoi impenjimin maksimal dhe profesionalizmin e nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle. Të gjitha interpretimet u pritën mjaft ngrohtë nga publiku në sallë që duartrokiti solistët dhe orkestrën virtuoze.
Vetë Glineur, që dirigjonte për herë të parë këtë orkestër harqesh mbeti i befasuar nga aftësitë muzikore të instrumentistëve të rinj, në mesin e së cilëve, siç u shpreh ai vetë për gazetën “Dyrrah” ka talente të vërtetë që premtojnë shumë për të ardhmen. Gjithashtu Glineur theksoi se pavarësisht se është mësuar me punën me të rinjtë, pasi edhe në Belgjikë ai i dirigjon shpesh ata, instrumentistët shqiptarë e habisin përherë me aftësitë artistike dhe harmoninë muzikore që arrijnë të transmetojnë si kur interpretojnë si solistë, ashtu edhe kur janë pjesë e formacioneve muzikore.
“Temperamenti muzikor i këtyre instrumentistëve dhe shpirti i tyre artistik janë gjërat që duhen vlerësuar me nota maksimale. Pavarësisht se veglat janë të vjetra, emocioni që këta të rinj përcjellin përmes tyre është diçka shumë e bukur, mbresëlënëse do të thosha”,- theksoi Glineur. Ai vlerësoi punën e madhe që kanë bërë me këtë grup të rinj mësuesit e tyre, impenjimi dhe përkushtimi në punë i të cilëve shpërblehet më së miri nga nxënësit e tyre.
Ndërsa drejtoresha Kalaja e falenderoi dirigjentin belg për bashkëpunimin e frytshëm dhe e ftoi atë për koncerte të tjera me orkestrën e harqeve të kësaj shkollë, Glineur u shpreh se ndihej mjaft i kënaqur me këtë ftesë dhe sigurisht që kjo nuk do të ishte hera e fundit që ai dirigjonte këtë grup të talentuar. Dirigjenti belg ndodhet për herë të katërt në Shqipëri, pasi prej disa vitesh ai është i angazhuar në disa projekte artistike në qytetet e Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Durrësit.
“E enjtja muzikore”, rikthimi i traditës artistike
Me nisjen e mbrëmjeve muzikore të përjavshme, shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” krahas evidentimit para artdashësve durrsakë të talenteve të saj në fushën e muzikës, riktheu në qytet një traditë të bukur, të harruar prej kohësh. Pavarësisht se bëhej fjalë për instrumentistë të rinj, jo profesionistë, këta djem e vajza arritën që javë pas jave të përsosnin interpretimin e tyre, të fitonin sigurinë në skenë dhe të përcillnin emocion tek publiku në sallë. Mbrëmja muzikore e kësaj jave tërhoqi vëmendjen jo vetëm për praninë e një dirigjenti të huaj, por dhe për faktin se pavarësisht se ishte me bileta, salla u mbush tej kapacitetit të saj. Jehona e këtij aktiviteti, të nisur ndoshta jo me shumë pretendime i kaloi caqet e qytetit, për t’u përhapur edhe tek instrumentistët e rretheve të tjera. Aktiviteti është programuar të vazhdojë edhe përgjatë të enjteve të muajit maj, por këtë herë me instrumentistë profesionistë. Gjatë këtij viti shkolla “Jan Kukuzeli” ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore si: ekspozitë pikturë, shfaqjen muzikore “West side story” dhe maratonën e “Të enjteve muzikore”, të cilat janë mirëpritur nga artdashësi durrsak.