- Në shtator martesat gay në parlament
Durrës, 19 gusht 2014 – Filmi dokumentar shqiptar “Skandal”, që trajton temën e homoseksualëve dhe lesbikeve shqiptare konkuroi suksesshëm në Festivalin e 20-të të Filmit në Sarajevë.
Gazeta prestigjoze “Le Monde” i kushton një artikull të gjatë e të detajuar jo thjesht këtij filmi dokumentar, por fatit të homoseksualëve dhe lesbikeve shqiptare pas vitit 2000.
Në artikull flitet me superlative për Elton Baxhakun dhe Eriona Camin, dy bashkautorët e këtij filmi dokumentar, si edhe për dy luftëtarët më të shquar të kauzës së LGBT-ve shqiptare, të famshmit Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj.
Artikulli përshkruan jetën e vështirë të LGBT-ve shqiptare edhe pas vitit 2000 dhe përpjekjet e tyre titanike për t’u bërë sa më publikë si psh. shkruajtja nëpër mure e parrullave: Unë jam femër dhe dashuroj një femër, apo bojatisjen me ngjyrat e flamurit LGBT të stolave në lulishten përballë Presidencës shqiptare.
Më pas jepen detaje të përplasjes në emisionin “Opinion” midis LGBT-së dhe përfaqësuesit të shquar të monarkistëve shqiptarë z. Murat Basha.
Artikulli përshkruan edhe aktin heroik të LGBT-ve shqiptare në vitin 2011, kur ata sfiduan mentalitetin e Tiranës duke shëtitur haptas me bicikleta madje edhe të ndjekur nga policët. Në 2012 arrihet “ fitorja” për LGBT, fitore që simbolizohet nga Xheni Karaj, e cila shpalos guximshëm flamurin LGBT, ndërsa nget biçikletën rrugëve të Tiranës.
Kristi Pinderi sheh një të ardhme të ndritur për komunitetin LGBT në Shqipëri. Ai thekson se ardhja e të majtës në pushtet ishte një game changer(lëvizje që ndërron rregullat e lojës).
Këtij ndryshimi politik i shtohet edhe vullneti politik për të hyrë në Evropë Mosdiskriminimi i minoriteteve seksuale është një kërkesë e panegociueshme e Evropës.
Xheni shton se në shtator parlamentarët do të diskutojnë një projektligj për njohjen e martesave (bashkëjetesës së dy personave të të njëjtit seks) si dhe përfshirjen e këtij amendamenti në Kodin e Familjes.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





