Bileta të shitura shumë orë para shfaqjes dhe një publik që duket se mezi e kishte pritur të ndiqte një pjesë teatrale.

Mbrëmjen e së martës, amfiteatri i Durrësit ishte i mbushur plot me spektatorë, që për mëse dy orë ndoqën një prej komedive bashkëkohore më të vlerësuara në arenën ndërkombëtare, por edhe në vendin tonë.

Regjisorja e njohur Driada Dervishi solli për herë të parë në Durrës komedinë “Vanja & Sonja & Masha”, një bashkëpunim shumë i suksesshëm me Teatrin Kombëtar, që premierën e tij e ka pasur në vitin 2015.

Me një staf të mrekullueshëm aktorësh, si Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Olta Daku, Zamira Kita, Xhuliano Brisku etj dhe nën atmosferën magjike të amfiteatrit 2000-vjeçar shfaqja u prit mjaft mirë nga artdashësit.

Përveç të qeshurave që shkakton në publik, komedia të fton njëkohësisht të reflektosh mbi shumë fenomene të shoqërisë moderne.

“Është një shfaqje moderne që do të bëjë publikun të reflektojë pavarësisht se mesazhet vijnë nëpërmjet notave të humorit, në brendësi ka shumë situata për të reflektuar. I them publikut ejani ta shihni, sepse do të kënaqeni.”,- tha para shfaqjes aktori i njohur Neritan Liçaj.

E sjellë në këto netë të fundgushtit, komedia “Vanja & Sonja & Masha” nuk do të jetë e vetmja që do të ngjitet në skenën e amfiteatrit antik, pasi në fundjavë regjisorja Dervishi ka një tjetër surprizë për artdashësit durrsak dhe jo vetëm.

“Vijmë për herë të parë për publikun durrsak me këtë shfaqje në amfiteatrin e qytetit dhe ku ka më bukur se ndërthurja e elementëve të komedisë bashkëkohore dhe magjisë që merr nga amfiteatri. Nuk do të ndalemi vetëm me kaq por do të ftoja publikun durrsak për një surprizë me datë 26 gusht ora 21:00, pikërisht këtu në amfiteatër do të shfaqet “Ferma e kafshëve” dhe do të jetë me hyrje të lirë, pra falas, kjo mundësuar falë Ministrisë së Kulturës.”,- tha Dervishi.

Publiku i qytetit të Durrësit tejmbushi karriget e vendosura në amfiteatër, duke bërë që shfaqja të kishte numrin më të madh të spektatorëve të mbledhur ndonjëherë në amfiteatrin e qytetit. Interesi ishte i lartë jo vetëm për natën e parë, por pritet të jetë dhe për natën e dytë pasi tashmë biletat janë shitur të gjitha.

M.B.