DURRES, 31 maj 2013 – Xhamia e re është përuruar këtë fundmaji në Sukth. Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. H. Selim Muça, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Naxhib Al-Bader.
Pas fjalës së rastit të mbajtur nga kryetari i KMSH-së Muça, besimtarët i përshëndeti edhe ambasadori i Kuvajtit, si dhe ministri Halimi. Në emër të ekzekutivit shqiptar, Halimi shprehu gadishmërinë në vazhdimësi të qeverisë për të ndihmuar besimtarët myslimanë në ndërtimin e objekteve të reja të kultit.
Teksa falenderoi ambasadorin kuvajtian për ndihmën e dhënë në ndërtimin e xhamisë, ministri Eduard Halimi tha se objektet e kultit janë të domosdoshme, veçarisht pas periudhës së vështirë që kaloi vendi në diktaturë.
“Ta gëzoni xhaminë e re, – u tha ministri i drejtësisë besimtarëve të mbledhur. – Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim ndihmën tonë në ndërtimin e objekteve të kultit. Bashkë me kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ne do të nisim ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ndërkohë që brenda pak ditësh do të kemi mundësi të nisim edhe ndërtimin e një tjetër xhamie të re në fshatin Kullë, këtu në zonën e Sukthit.”
Përurimi i xhamisë së re në Sukth përkoi edhe me organizimin në Tiranë të konferencës shkencore “Harmonia Ndërfetare: Vlerë e Trashëgimisë Kombëtare Shqiptare”, që u mbajt nën kujdesin e Presidentit të Republikës. Pas përurimit, të gjithë të pranishmit vizituan mjediset e brendshme të xhamisë së re të Sukthit.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





