·        Opozita në qeverisjen vendore gjen syleshë në qeverinë Rama

DURRËS, 1 qershor 20214 –  Kryebashkiaku i Sukthit, përfaqësues i PD-së z. Sherif Fortuzi, me ndërgjegje apo symbyllas, ka nënshkruar një njoftim për fitues tenderi me një “gabim” që kushton, jo pak, por 1 487 925 lekë (mbi 10 mijë euro), sa mbi një e treta e fondit limit, fakt që i ka shpëtuar dhe drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave, z. Eduard Ahmeti, përfaqësues i mazhorancës qeverisëse.

Në një formular të njoftimit të fituesit të bërë në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik së Këshillit të Ministrave të 26 majit 2014, se në tenderin e zhvilluar më 5 maj 2014, për blerje çaklli me fond limit 5 milionë lekë (35 673 euro), kryetari i bashkisë së Sukthit z. Sherif Fortuzi klasifikonte në vend të parë, nga 6 operatorë pjesëmarrës për ofertën më të ulët firmën SARK Fier me 2 399 875 lekë (i dyti me 4 645 660, i treti me 4 876 990, i katërti me 4 964 664, me 4 984 664 lekë, kurse i gjashti, i skualifikuari, me zero lek).

Ndërkaq në shkresë, pak më poshtë, kryebashkiaku Fortuzi shkruan: “duke iu referuar procedurës informojmë: SARK, adresa: Fier, se oferta e paraqitur, me një vlerë 3 887 800 lekë, është identifikuar si oferta e suksesshme” (shih faksimilen).

Tani shtrohet pyetja: cila është vlera e vërtetë: ajo prej 2 399 875 lekë apo prej 3 887 800 lekë?

Nuk i thonë pak: diferenca është 1 487 925 lekë (mbi 10 mijë euro), teksa fondi limit, sikurse u përmend më sipër, është 5 milionë lekë; në këtë rast “avullon” me një dorë mbi një e treta e fondit limit.

(Nuk) mund të spekulohet se këtu kemi të bëjmë me ndonjë rast korruptimi për vjedhje të 10 mijë eurove.

Por mund të thuhet se kemi të bëjmë me vepër penale të qëndrimit të pakujdesshëm në detyrë si nga hartuesi i formularit të njoftimit të fituesit (PD), ashtu dhe nga publikuesi (PS).

Sepse symbyllas ka vepruar edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik të Këshillit të Ministrave z. Eduard Ahmeti, i cili merr rrogën për të kapur të tilla gabime dhe për të ndaluar publikimin.

Po ashtu, formulari i njoftimit të fituesit, përveç gabime skandaloze të shtypit dhe drejtshkrimit, nuk është plotësuar në mënyrë të përpiktë dhe për emrin e shoqërisë fituese: nuk është thjesht SARK, por SARK shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) dhe mungon adresa e plotë: SARK shpk, lagjja “Apollonia”, rruga “Andon Profka”, pallati nr. 75 Fier.

Këto specifikime të detyrueshme me ligj nuk pasqyrohen as për 5 operatorët e tjerë ekonomikë.

Info/ SARK shpk

Import-eksport, tregtim me shumicë dhe pakicë të mallrave farmaceutike,barna mjekësore, materiale me përdorim dentar, klinikë mjekësore, ndërtim banesash, objekte industriale, vepra bonifikimi, ujësjellës-kanalizime, tregti dhe import-eksport të mallrave të ndryshme si dyer, dritare, tregtim i lëndëve të para për industrinë, hidrosanitare, pajisje elektro-shtëpiake, makineri të ndryshme, pjesë këmbimi, bimë mjekësore, pije alkoolike, bar-bufe etj., shërbime dhe mirëmbajtje të sistemeve elektrike dhe elektronike, sisteme të peshimit, shpim pusesh për ujë; tregtim të vajrave lubrifikante me pakicë etj., ndërtim rrugësh të kategorive të ndryshme.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/