Dhënia e certifikatave të legalizimit për banorët e Sukthit dhe të fshatrave përreth ka bërë bashkë PS-në dhe LSI-në. Procesi i legalizimit u finalizua në këtë zonë dhe 3.960 familje të Sukthit u pajisen me leje legalizimi.

Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave u bënë bashkë kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe deputeti i LSI-së për Durrësin, Lefter Koka.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se në këtë zonë është punuar shumë mirë për të finalizuar procesin e legalizimit.  

Kreu i LSI-së, Ilir Meta përgëzoi praninë e përfaqësuesve të PS dhe të LSI, të bërë bashkë në fshatin Kullë, duke nënvizuar se legalizimi i jep zhvillim tjetër kësaj zone.

Ministrja Gjermeni deklaroi se meritë e finalizimit të këtij procesi është puna e ekipit të drejtuar nga drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi.

Procesi i legalizimit u mbyll në të gjitha zonat rurale të qarkut të Durrësit, ndërsa brenda në qytet është bllokuar për shkak se ndarja e zonave arkeologjike nuk lejon vijimin e këtij procesi.

Sukthi mbylli sot legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat informale të bashkive Durrës e Shijak.

Kujtojmë se kjo zonë është bastion i së majtës dhe këtu të dy forcat politike, PS e LSI, kërkojnë që të jenë fituese, gjë që e përforcoi edhe prania e disa prej figurave më të njohura të të dy kampeve në Durrës dhe më gjerë. 

K.H.