DURRËS, 25 maj 2014 –  Në 4 muaj të vitit 2014, në stacionin hekurudhor të Sukthit janë shkarkuar 112 copë vagonë të huaj, tani që Durrësi nuk ka më stacion hekurudhor mallrash, përjashtuar degëzimin në kalatën lindore të portit, Sukthi po shndërrohet në një “terminal” të qytetit bregdetar për mallrat e importuar nëpërmjet stacionit hekurudhor kufitar ndërkombëtar të Hanit të Hotit.

Sipas të dhënave zyrtare të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike / shtetërore Hekurudha Shqiptare (HSH) sha, në periudhën janar-prill 2014 janë shkarkuar 70 vagonë të huaj me 3 172 tonë grurë dhe 42 vagonë me 1877 tonë sheqer importi, nisur nga Hani i Hotit, stacioni ndërkombëtar kufitar me Malin e Zi,  për llogari të grosistëve durrsakë.

Tani biznese të caktuara e shohin më me leverdi transportin me shina për shkak të tarifave, deri tri herë më të ulëta se ai me automjete.

Vitin e kaluar në stacionin e Sukthit janë shkarkuar vagonë të huaj të hekurudhave evropiane me hekur profil, gaz të lëngshëm, misër, bikerina vezësh.

HSH sha po punon me seriozitet për të gjallëruar punën në këtë stacion të vogël, dikur vend-depozitimi dhe nisës i ngarkesave me qymyrin e Manzës (kryesisht për eksport) dhe shalqirit të ish-fermës shtetërore.

Për shkak se stacionet e mallrave në Durrës e Plazh-Shkozet tani nuk ekzistojnë, shndërrimi i Sukthit në një “terminal” për qytetin bregdetar shihet me optimizëm.

I ndodhur afër Durrësit dhe Vorës, ku ka një rrjet rrugor të zhvilluar, Sukthi plotëson kushtet për një stacion multimodal rrugor-hekurudhor-detar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/