Flet 84-vjeçari që ka mbrojtur portën kundër Pushkashit të madh. Portieri legjendar që nuk ka veshur kurrë doreza në fushë. Fillimi në fushën e Kavajës dhe suksesi në arenën ndërkombëtare. Tradita familjare që vazhdoi me të birin, Agimin dhe mbresat e një të moshuari që nuk i ndahet fushës së blertë
Ai është tashmë 84 vjeçar, por ka akoma kujtesën e një të riu dhe forcën e një njeriu të cilin vitet nuk mund ta mposhtin. 51 vjet më parë pas turneut të ushtrive mike në Lajpcing të Gjermanisë gazeta "Deutche Sport Echo"do ta konsideronte si "macja e zezë"e portës shqiptare. Padyshim mjaftojnë këto fjali për të kuptuar se bëhet fjalë për legjendën e portës shqiptare, Sulejman Maliqati. Intervista me Sulën është fare e rastësishme. Një kafe në shëtitoren "Taulantia" ku ai qëndronte së bashku me një emër tjetër të shquar të futbollit Nazmi Maxhuni, do të na sillte emocione të veçanta nga thesari i kujtimeve të botës së futbollit që Sula mban me vete. Sul Maliqati tregon midis të tjerash për pasionin e madh që ekzistonte në atë kohë tek futbollistët, pasion të cilin ai për fat të keq nuk e sheh tek brezi aktual. “Në një ndeshje me Besën e Kavajës kam luajtur vetëm me një kurabie 4 lekëshe, asgjë tjetër. Të tilla ishin kushtet atëherë, dhe as nuk bëhej fjalë që pas ndeshjes të laheshim në dushe”, kujton Sula me nostalgji. Maliqati është ndoshta i vetmi portier që nuk ka përdorur asnjëherë dorezat në fushën e lojës, gjë që në kohët e sotme as që mund të imagjinohet.
Cili qe kontakti juaj i parë me futbollin?
Duhet të rikthehem kohë më parë, atëherë kur isha vetëm 13-14 vjeç dhe kur ndiqja ekipin e Kavajës në stërvitje. Në fakt e doja futbollin dhe më pëlqente që të shkoja pas punës në kripore, në vendin ku stërvitej ekipi. Një ditë futbollistët e asaj kohe që po stërviteshin nuk kishin portier. Dikush që më pa jashtë fushe më tha: “Futu ti në portë”. Që nga ai moment nuk i jam ndarë futbollit.
Si do të vijonte më pas karriera juaj sportive?
Fillimisht do të luaja në vitin 1947-1948 me ekipin e sindikatave të Kavajës, ku kam luajtur për 3 sezone. Më pas e gjithë karriera ime lidhet me ekipin e Partizanit dhe atë përfaqësues. Kam luajtur ndeshje të veçanta dhe me ekipe të tjera, por me këto dy ekipe jam aktivizuar rregullisht. Në kohën që luajta me Partizanin do të vinin dhe sukseset e njëpasnjëshme duke nisur nga viti 1957 dhe deri më 1965, ku Partizani do të fitonte 6 nga 7 kampionatet e radhës. Ai i 1958-ës dukej të ishte më modesti mbase, por dhe ndër më të çmueshmit sepse kësaj here ai nuk ishte fituar duke mposhtur vetëm një Dinamo, por duke mposhtur edhe dy rivalë të tjerë të paparashikueshëm: 17 Nëntorin e Panajot Panos dhe të Skender Merjes (Halili), po sidomos Besën e Shefqet Topit, Hasan Gërmanit, Qemal Gavardarit e Mit Dimroçit. Dhe për një çast i dukej si një fitore e katërfishtë. Kishte lojtarë të mrekullueshëm si Deliallisi, Fagu, Ndini, G.Merja, Kraja, Resmja dhe Deda, kishin qenë pjesë e 11-shit të Kombëtares në ndeshjen e mbyllur 1-1 me RD Gjermane.
Cili ka qenë përfaqësimi juaj me ekipin kombëtar?
Me kombëtaren kam luajtur në ndeshje të tilla si ajo me kombëtaren e Hungarisë në 1950 ku përballë kisha Pushkashin e madh, kundër Çekisë, Rumanisë, Danimarkës ku kam qenë dhe kapiten i ekipit. Mund të them se këto kanë qenë përfaqësim në nivel kombëtar, por në vitin 1958 Partizani do të merrte pjesë në Spartakiadën e ushtrive mike, ku kemi bërë një nga përfaqësimet më të shkëlqyera për ekipe në historinë e futbollit shqiptar.
Pse e veçoni përfaqësimin në këtë spartakiadë?
Ajo spartakiadë e kishte emrin por në një farë mënyre ishte një ligë kampionesh e vendeve të lindjes që kishin një futboll elitar në atë kohë. Merrnin pjesë 12 shtete si BRSS, RDGJ, Bullgaria, Çekia, Hungaria, Kina, RD e Vietnamit , RDP e Koresë, Polonia, Rumani dhe RP e Mongolisë. Kemi arritur rezultate të shkëlqyera duke fituar fillimisht ndaj ekipit vietnamez 5-1, duke mposhtur 1-0 CCA Bukureshtin. Humbën në finale me CDNA e Sofjes 0-1 pas një “ence” nga 16 m, në kohën kur luanim me 10 futbollistë. Ajo ka qenë ndeshje e fortë dhe 7 min para përfundimit Niko Bespalla humbet një rast të pastër, i vetëm para portës. Pas 5 minutash, kur duheshin edhe 2 min që të përfundonte loja, mbrojtësi i famshëm bullgar Rakorovi, çan mbrojtjen dhe shënon golin e vetëm që kam pësuar në atë turne.
Pse ju vunë epitetin "macja e zezë"?
Ishte shtypi gjerman i cili ma vuri këtë epitet. Gjatë gjithë atyre ndeshjeve unë u cilësova nga gazetat e shumë vendeve pjesëmarrëse si “macja e zezë” për shkak edhe të uniformës që mbaja, mbathje dhe fanelë të zezë. Në fakt në këtë spartakiadë u shpalla portieri më i mirë, në një kohë që Resmja u shpall më i miri për interpretimin teknik. Gazeta gjermane "Deuche Sport Echo" shkruante: "Maliqati portieri më i mirë i gjithë skuadrave…Macja e zezë varrosi topin jo pa rrezik në trupin e vet". Krahas këtij turneu kemi zhvilluar dhe shumë turne të tjera në Bashkimin Sovjetik, turneun e Hanoit.
Ju nuk keni përdorur asnjëherë doreza në portë. Ka qenë e vështirë?
Për mua jo. Në kohën që luaja unë nuk kishte doreza dhe ato dolën më vonë. Disa portierë filluan t’i përdorin, kurse unë jo. Nuk i doja, sepse nuk kishin ndjeshmëri duart dhe gishtat. Edhe kur m’i sillnin, unë nuk i vishja. Gishtat e mi tashmë janë deformuar, por ata kanë prekur miliona topa futbolli. Në çdo stërvitje unë nuk dilja pa 2000-3000 prekje të topit me duar. Kushtet i kishim të këqija, nuk kishim fare dushe. Mbaj mend se kur mbaronte ndeshja, shkonim e laheshim tek mulliri i Lushes. Atje kishte një tub që nxirrte ujë të ngrohtë kur punonte mulliri.
Cila ka qenë ndeshja më e bukur për ju?
Ka qenë një ndeshje që Vllaznia ka luajtur kundër Drozhe të Budapestit në ‘54 ose ‘55 dhe unë isha në portën e Vllaznisë. Kjo skuadër ishte shumë e fortë, kombëtaren tonë e kishte mundur dy herë 3-0 dhe 4-0, megjithëse në portë ishte Qemal Vogli, portier shumë i mirë. Në këtë ndeshje pati sulme të fuqishme nga hungarezët, megjithatë ndeshja përfundoi 0-0. Në portë më kanë ardhur qindra topa dhe ia dola të mos lejoj të shënohet gol. Në fund të ndeshjes në fushë hynë tifozët shkodranë dhe më morën në krahë nga fusha deri tek Kafja e Madhe. Ka pasur sulmues mjaft të rrezikshëm që ishin mjaft problem kur i afroheshin portës, Pushkash, Masapustika, por edhe Refik Resmja ishte mjaft i rrezikshëm nga goditjet standarde. Ato vite kanë qenë të paharruara. Punohej shumë nga të gjithë. Dua të them se në kampionatin më të keq timin, kam pësuar maksimumi 7 gola, madje ka pasur edhe kampionat që kam pësuar vetëm një gol nga fillimi deri në fund, edhe këtë me penallti. Kampionatet tona ishin mjaft të vështira, megjithëse rreth 8 skuadra serioze kanë qenë në ato vite
Cilat cilësi do të veçonit te vetja për kohën kur luajtët?
Reflekset dhe shkathtësinë.
Cilin nga portierët aktualë do të donit të veçonit?
Portierin e realit të Madridit dhe kombëtares spanjolle, Kasijas. Ka reflekse fantastike.
Më veçoni ndonjë emër portieri nga historiku i futbollit shqiptar?
Qemal Vogli p.sh ka qenë një fenomen.
Si ka vazhduar tradita e portierëve te familja Maliqati?
Djali im Agimi ka qenë një portier mjaft i mirë që ka luajtur me Durrësin dhe Vllazninë. Ka pasur cilësi me të vërtetë të veçanta dhe një talent të padiskutueshëm. E kam stërvitur vetë dhe i dhashë vullnetin për stërvitje deri në kohën kur dhe ai e la futbollin.
A e ndiqni tani futbollin?
Futbolli është një pjesë e pandarë e jetës time. Ndjek në stadium Teutën çdo ndeshje bashkë me mikun tim Nazmi Maxhuni (një emër tjetër i shquar i futbollit) dhe nuk le ndeshje të fortë europiane pa parë.
Çfarë e mban kaq të fortë dhe të freskët Sulejman Maliqatin?
Sporti ka lënë gjurmë në jetën dhe fizikun tim, por dhe jeta e rregullt dhe lëvizja kanë qenë sekreti i shëndetit tim fizik dhe mendor.
Çdo të thotë për ju fakti që Teuta kryeson superligën dhe Besa luan në kategorinë e parë ?
Janë dy ekipe që i kam më për zemër. Më vjen mirë për Teutën që me djem të rinj po kryeson me meritë kampionatin dhe më vjen keq për Besën që është larg emrit dhe traditave që ka. Vazhdoj ta ndjek futbollin dhe pavarësisht nga mosha që kam i përkrah djemtë e Teutës të cilëve ju uroj titullin kampion.