Tiranë, 20 maj 2014 – Shqipëria është parajsë e mafies dhe duhet prokurori speciale për të hetuar krimin dhe korrupsionin. Kështu është shprehur kryeredaktori i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OÇRP), Drew Sullivan.
“Mafia shqiptare është një ndër aktorët kryesorë ndërkombëtarë. Nuk operon gjithmonë brenda për brenda Shqipërisë, kryesisht operon jashtë Shqipërisë, dhe megjithëse paraja shpesh herë pastrohet ose investohet në Shqipëri, ku shihen shumë ndërtesa të mira këtu në Shqipëri, mafia shqiptare është shumë aktive në nivel ndërkombëtar. Ndërsa në rajon, ka disa grupe të caktuara dhe një prej tyre është mafia kosovare. Janë rreth pesë familje që operojnë së bashku, ndoshta më saktë dy grupe, që janë vëllezërit Osmani, të cilët operojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, Naser Kelmendi gjithashtu, besoj që shumë ia kanë dëgjuar emrin. Ai është i arrestuar dhe besoj se do të akuzohet shumë shpejt”, deklaroi Sullivan.
Sipas tij, mafia shqiptare e ka aftësinë që të vazhdojë aktivitetin e saj edhe nëse humbet drejtuesit e saj.
“Ajo çfarë dimë për mafien shqiptare është se ka aftësi shumë të mira për t’u lidhur me diasporën shqiptare në botë. Mafia shqiptare është shumë e lidhur me Italinë, me atë çfarë ndodh në Belgjikë, Londër dhe vendet e tjera. Në fakt, edhe policia e pranon se është mafia shqiptare ajo që kontrollon prostitucionin, drogën, shfrytëzimin e njerëzve, vrasjet në vende si Londra, Belgjika etj”,tha ai, duke shtuar se mafia shqiptare ka mënjanuar edhe shumë grupe të tjera mafioze në Londër.
“Nuk po them që kontrollon të gjithë tregun por një pjesë të madhe të tregut të këtyre krimeve. Ka shumë njerëz në këtë rrjet që e ushqejnë këtë sistem dhe mafia shqiptare është unike, mafia shqiptare është e përfshirë në marrjen e drogës direkt nga burimi si Kirgistani, Afganistani, deri në destinacionin përfundimtar”, u shpreh Sullivan.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





