Të paktën 14 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, kanë humbur jetën nga një sulm raketor rus në qytetin Kryvyi Rih, vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Më shumë se 50 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa bilanci i viktimave mund të rritet.
Presidenti Zelensky reagoi me zemërim, duke e cilësuar sulmin si një dëshmi të qartë se Moska “nuk dëshiron një armëpushim”. Ai theksoi se “çdo sulm me raketë dhe dron tregon se Rusia dëshiron vetëm luftë”, dhe kërkoi më shumë presion ndërkombëtar ndaj Moskës si dhe mbështetje për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Sipas autoriteteve lokale, raketa balistike goditi një zonë të banuar në qendër të qytetit. Zjarret që shpërthyen pas shpërthimit janë shuar nga zjarrfikësit, ndërsa pesë ndërtesa banimi kanë pësuar dëme të mëdha.
Kriviy Rih ndodhet rreth 80 kilometra nga vija e frontit dhe është shpesh në shënjestër të sulmeve që prej nisjes së agresionit rus në shkurt të vitit 2022. Ky është vetëm një nga disa sulmet e fundit në këtë qytet; të mërkurën, katër persona humbën jetën dhe 14 u plagosën nga një tjetër sulm raketor, ndërsa në mars një goditje e ngjashme la dy të vdekur.
Zelensky u bëri thirrje SHBA-së, Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin veprime për t’i dhënë fund terrorit rus: “Rusia godet çdo ditë. Njerëzit vriten çdo ditë,” tha ai në një mesazh në Telegram.