Armët kimike vrasin sërish civilë në Siri. Të paktën 70 persona humbën jetën dhe mbi 1 mijë të tjerë u lënduan kur një helikopter i ushtrisë siriane hodhi  një fuçi me lëndë të rrezikshme kimike në qytezën Douma në periferi të Damaskut. Shumica e të prekurve nga sulmi janë fëmijë, siç duket në këto pamje ku shfaqen momentet e dhënies së ndihmës së parë.

Mjekët vullnetarë në terren thanë se nga simptomat dyshohet për një përzierje të gazit sarin me atë klorin, me një efekt negativ tepër të fortë në shëndet, nga parazila e sistemit nervor, bllokimi i funksionimit të organeve e deri në vdekje.

Prej ditësh forcat qeveritare siriane bombardojnë pozicionet e ekstremistëve të grupit Jaish al-Islam në Douma, ndër të paktat zona të mbetura në duar te rebelëve në periferi të Damaskut. Departamenti amerikan i shtetit fajësoi për sulmin regjimin e Bashar al-Asadit dhe Moskën që e mbështet. Por qeveria siriane dhe ministria e jashtme ruse e konsideruan sulmin “trillim” të rebelëve të mbështetur nga perëndimi për të fituar kohë para disfatës përfundimtare.