Disa persona të armatosur kanë sulmuar një kishë italiane në Stamboll më 28 janar, duke lënë të vdekur një person, tha ministri i Brendshëm turk.
Sulmi ndodhi gjatë një ceremonie fetare. Sipas ministrit, Ali Yerlikaya, sulmi ndodhi rreth orës 11:40, sipas kohës lokale, në qarkun Sarijer të Stambollit. Ai shkroi në rrjetet sociale se kisha u sulmua nga dy burra të maskuar.
Turqia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, bëri të ditur Yerlikaya. Ministri i Brendshëm tha se autoritetet kanë identifikuar viktimën me iniciale C.T, duke thënë se ai po merrte pjesë në shërbesën e së dielës kur u sulmua kisha.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të ulët”, tha Yerlikaya.
Omer Celik, zëdhënës i partisë në pushtet, AKP, tha se sulmuesit kishin në shënjestër një person që gjendej në kishë.
“Forcat tona të sigurisë po kryejnë një hetim të gjerë të kësaj ngjarjeje”, tha ai.
“Ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë kurrë nuk do të arrijnë të përmbushin qëllimet e tyre”, shtoi Celik.
Mediat lokale kanë raportuar se nga sulmi ka edhe persona të tjerë të plagosur, por këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet. Ndërkaq, motivi i sulmit ende nuk është i qartë.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, forcat turke të sigurisë arrestuan 32 persona, të dyshuar se kishin lidhje me xhihadistët e grupit militant, Shteti Islamik. Atëbotë, autoritetet thanë se të arrestuarit dyshoheshin se po planifikonin të sulmonin kisha dhe sinagoga, por edhe ambasadën irakiane.
Ekstremistët e IS-it kanë kryer një sërë sulmesh në tokën turke, përfshirë një sulm më 2017 në një klub nate në Stamboll, duke vrarë 39 persona.