Shpërthimi i një bombe në rrugë u ka marrë jetën të paktën 35 personave dhe ka lënë 27 të tjerë të plagosur në perëndim të Afganistanit.
Viktimat ishin pasagjerë të një autobusi që po udhëtonte përgjatë autostradës lidhëse mes provincës së Farahut dhe qyteteve të Heratit dhe Kandaharit.
Pajisja e improvizuar eksplozive mendohet se ishte instaluar në rrugë nga luftëtarët talibanë.
Sikundër herët e kaluara, objektiv ishte popullsia afgane, zyrtarë të qeverisë ose forcat e huaja të sigurisë.
Shpërthimi ndodhi një ditë pasi Kombet e Bashkuara publikuan një raport tronditës mbi jetët e humbura si pasojë e një konflikti që vazhdon prej 18 vjetësh.
Situata në Afganistan mbetet e acaruar, ku militantët e Talibanit dhe ata të ISIS ndërmarrin sulme thuajse të përditshme ndaj forcave afgane.
Talibanët kontrollojnë gjysmën e vendit dhe prej vitit të kaluar po negociojnë një marrëveshje me ndërmjetësinë e SHBA-së, që parashikon mes të tjerash edhe largimin e forcave amerikane nga rajoni.





