Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me dron ukrainas ndaj një anijeje mallrash në portin e Rostovit, në Rusi. Viktimat janë dy anëtarë të ekuipazhit, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën.
Lajmi u bë i ditur nga guvernatori rajonal, Yuri Slyusar, i cili e konfirmoi ngjarjen përmes një postimi në Telegram. Sipas tij, sulmi shkaktoi edhe një zjarr në anije, i cili u shua nga shërbimet e emergjencës.
Ndërkohë, në qytetin Bataysk, shtatë persona u plagosën si pasojë e sulmeve me dron. Njëri prej të plagosurve nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Autoritetet lokale po vijojnë hetimet për rrethanat e sulmit, ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar.





