Një sulm me dron ka goditur sot bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, ku janë të vendosura forca ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, duke shkatërruar një avion të telekomanduar të Forcave Ajrore italiane.

Lajmi u konfirmua nga shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Italisë, gjenerali Luciano Portolano, i cili në një reagim në rrjetin social ‘X’ bëri të ditur se avioni pa pilot ishte një mjet i rëndësishëm për operacionet ushtarake në rajon.

Sipas tij, mjeti ajror ishte një “aset i domosdoshëm për aktivitetet operacionale” dhe ishte vendosur në bazë për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve.

Sipas CCN, Portolano theksoi se gjatë sulmit të gjithë ushtarët italianë që ndodheshin në bazë janë të sigurt dhe nuk raportohet për të lënduar.

Ai shtoi gjithashtu se numri i personelit ushtarak italian në bazë ishte reduktuar ditët e fundit për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.

Sipas gjeneralit italian, ushtarët që kanë mbetur në bazë po vazhdojnë të kryejnë aktivitetet thelbësore të misionit, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht nga Shtabi i Mbrojtjes dhe Komanda e Operacioneve të Përbashkëta, të cilat mbajnë kontakt të vazhdueshëm me trupat në terren.