Të paktën shtatë persona u plagosën pasi dronët rusë goditën një kompleks banimi në qytetin Okhtyrka, në rajonin verior të Sumy, njoftoi sot guvernatori lokal Oleh Khryhorov.

Rajoni i Sumy, që kufizohet drejtpërdrejt me Rusinë, ka qenë nën bombardime pothuajse të përditshme që prej fillimit të pushtimit më 2022, teksa konflikti po i afrohet vitit të katërt.

Sipas Khryhorov, i cili e publikoi njoftimin në Telegram, të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital. Dy prej tyre janë shtruar për trajtim, ndërsa pjesa tjetër ka marrë ndihmën e parë dhe është larguar pa u ndalur në spital.

Guvernatori shtoi se godina shumëkatëshe e banimit ka pësuar dëme të konsiderueshme. Disa prej banorëve arritën të strehohen në bodrum menjëherë pas sirenave të sulmit ajror, ndërsa ekipet e emergjencës kanë shpëtuar persona të tjerë nga katet e larta të ndërtesës.

Reuters raporton se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur deklaratat e autoriteteve ukrainase. Nga ana ruse, Moska nuk ka dhënë ende një koment për goditjen.

Të dyja palët mohojnë se synojnë civilët, por gjatë më shumë se tre viteve luftë, mijëra njerëz kanë humbur jetën, shumica dërrmuese civilë ukrainas.