DURRËS, 21 mars 2014 – E përditshmja turke në anglisht “Hyrijet Dejli Njuz” dhe e përditshmja turke “Aksham”njoftojnë se të enjten në 20 mars një komando terroriste e organizatës Shteti islamik i Irakut dhe Levantit (filial i Al Kaedës) ndërmori një sulm të rëndë terrorist.

Sulmi kundër një postblloku të xhandarmërisë ndodhi në provincën turke të Hatajës jo larg portit të Iskanderumit. Komandoja përbëhej nga tre terroristë. Gjatë sulmit ata komunikonin në arabisht (varianti klasik), por pas arrestimit të dy anëtarëve të komandos rezultoi se ishin shqiptarë të Shqipërisë. Më vonë u arrestua edhe i treti, që ishte shqiptar i Kosovës. Bëhet fjalë për E. S. dhe E. A. 18-vjeçarë nga Shqipëria dhe C. R. 23 vjeç shqiptar i Kosovës. Dy shqiptarët e plagosur nga shkëmbimi i zjarrit me xhandarmërinë turke u kapën ndërsa mjekoheshin në  ambulancën e fshatit Eminlik. Ata ishin të përgjakur, me mjekra të gjata, të palarë prej ditësh. Me personelin mjekësor turk kishin komunikuar në arabisht dhe në anglisht, duke i siguruar se nuk kishin probleme me policinë dhe ishin miq të shtetit turk.

Nga sulmi terrorist humbi jetën një oficer i policisë, një xhandar dhe një shofer kamioni, që u gjend rastësisht afër postbllokut, kur ndodhi sulmi. Mbetën të plagosur me armë zjarri edhe pesë xhandarë. Policia u kapi terroristëve 5 granata prodhim të vendeve të ish-Traktatit të Varshavës, tre automatikë Kallashnikovë tip AKM, dy silenciatorë dhe tre kama të gjata.

Dy adoleshentët shqiptarë janë me origjinë nga Shqipëria qendrore dhe nga ajo jug lindore. Pas mjekimeve të para jeta e tyre rezulton jashtë rrezikut, madje janë në gjendje të mirë shëndetësore saqë po merren në pyetje nga policia, gjyqësori dhe nga inspektorë të MIT (Shërbimit sekret turk).

Ky akt terrorist i ndodhur në kulmin e një fushate të ndezur elektorale, ka tërhequr vëmendjen maksimale të forcave ligj-zbatuese turke. Ata janë të bindur se sulmi është në përgjigje të operacioneve të koordinuara turko-shqiptaro- kosovare (EULEX) kundra militantëve jo sirianë të organizatës terroriste Shteti islamik i Irakut dhe Levantit.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/