Të paktën 16 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur pas sulmeve me dronë dhe raketa në rajonet ukrainase të Odesës dhe Vinitsjas, thanë zyrtarët lokalë më 15 mars.
Ndërkaq, në rajonin kufitar rus të Belgorodit dhe një rafineri në rajonin Kaluga raportohet se janë shënjestruar sërish nga dronët dhe raketat.
Sulmet me raketa ruse në Odesa lanë të vrarë 14 persona dhe plagosën të paktën 46 të tjerë, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper, në një postim në Telegram.
“Si rezultat i sulmeve ruse me raketa, 14 persona janë vrarë, përfshirë banorë lokalë, një mjek dhe punëtorë të shpëtimit”, tha Kiper, duke shuar se në mesin e 46 të plagosurve ishin edhe shtatë punëtorë të shpëtimit.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se ka hapur rast për këto sulme, duke shtuar se ka dëme në infrastrukturën civile, ndërtesa dhe makina.
Më herët gjatë ditës, një sulm me dronë në një ndërtesë në Vinitsja, la të vrarë dy persona dhe plagosi katër të tjerë.
Në Rusi, shtet që po mban zgjedhjet treditore presidenciale, u raportua për sulme të dyshuara ukrainase me dronë dhe raketa në rajonin kufitar të Belgorodit.
Ky rajon, sipas zyrtarëve lokalë, ka qenë cak i sulmeve ukrainase për ditë me radhë. Sulmet e fundit kanë plagosur dy persona dhe kanë shkaktuar dëme në disa ndërtesa banimi, duke penguar edhe procesin e votimit, shkroi në Telegram guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.
Ndërkaq, kanali Baza në Telegram, që ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë, raportoi për zjarr në një rafineri në rajonin Kaluga. Zjarri raportohet se u shkaktua nga rrëzimi i një droni nga sistemet ajrore ruse.
Një burim ukrainas i inteligjencës i tha agjencisë Reuters se sulmi me dron në rafinerinë në Kaluga ka shkaktuar dëme dhe prapa sulmit qëndron shërbimi ushtarak i inteligjencës së Ukrainës. Ky pretendim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Në ditët e fundit, dronët ukrainas kanë shënjestruar infrastrukturën e energjisë në rajonet ruse, përfshirë rafineri të naftës në rajonet e Rjazanit, Nizhni Novogrodit dhe Leningradit./REL