Policia e Shtetit ka reaguar pasi hakerat iranianë publikuan në Telegram të dhëna të marra nga sistemi MEMEX i policisë së shtetit, që përmban të dhëna për persona të dyshuar apo në hetim për ngjarje kriminale.

Policia e Shtetit njofton se, “deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore”.

Njoftimi:

Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit.