Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmet kibernetike të javës së fundit mbi sistemet qeveritare, ndërsa edhe Telekomi i Kosovës ka rënë pre sot e këtyre sulmeve.
Qeveria deklaron se ky sulm i llojit DDoS ka shkaktuar pengesa dhe mungesë të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare.
Në postimin në faqen zyrtare në Facebook, qeveria bën me dije se me aplikimin e masave të duhura, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdimin e sulmit.
“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.
Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.
Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit.
Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.”-shkruan qeveria e Kosovës.





