5 tetor 2014 –Çdo ditë e më tepër, bukuroshja Armina Mevlani po bëhet edhe më aktive në rrjetet sociale, ku me anë të një video në Instagram dukej si një adoleshente e lumtur. Në Facebook ka zgjedhur të japë mesazhe më aktuale.
Tashmë haptazi, sulmeve ndaj kryeministrit Rama i është bashkuar edhe Armina. E dashura e Shkëlzenit ka postuar një status në Facebook të shkëputur nga Facebook-u i të dashurit të saj, ku sulmohet kryeministri Rama për rrëzimin e bustit të “Dy gishtave” në Kavajë.
"Djali i skulptorit të Enverit rrëzon Obeliskun e demokracisë. Enveri nuk po ringjallet vetëm me portrete apo parrulla, por edhe duke shkatërruar simbolet e levizjeve që çuan në rrëzimin e tij”.
Obelisku që u rrëzua sot në qendër të Kavajës nuk simbolizonte vetëm demostratën e parë antikomuniste të dt. 26 Mars 1990, por të gjithë përpjekjen, sakrificat, torturat, deri dhe gjakun (Josif Buda) që ky qytet ka derdhur për demokracinë.
Ndoshta Kavaja do të ketë nesër një shëtitore më të bukur që padyshim e meriton. Mbase obelisku nuk ishte estetikisht vepra më e realizuar, por simbolika e tij, përtej çdo dyshimi përcillte kontributin më të rëndësishëm që Kavaja ka dhënë në historinë e Shqipërisë-fillimin e rrezimit të diktaturës dhe lindjes së demokracisë e pluralizimit.
Jo rastësisht, njeriu që vendosi të shkatërronte simbolin e atyre që derdhën deri dhe gjak për të sjellë demokracinë është djali i atij që derdhte në bronz statujat e Enverit. E bëri duke i gënjyer me një rrugë", përfundon mesazhi.





