Autoritetet japoneze ekzekutuan 7 anëtarë të kultit “Aum Shinrikyo”, përfshirë kreun e tyre Shoko Asahara, për sulmin vdekjeprurës me gaz nervor në metronë e Tokios në vitin 1995.
Sulmi me gaz sarin u kushtoi jetën 13 personave dhe plagosi mijëra të tjerë, incidenti më i rëndë terrorist në historinë e Japonisë.
Ministria japoneze e Drejtësisë konfirmoi ekzekutimin e 7 personave, që u krye në një burg në Tokio. Mësohet se 6 anëtarë të tjerë të grupit janë dënuar gjithashtu me vdekje dhe presin ekzekutimin.
Ekzekutimi i anëtarëve të kultit u shty kaq gjatë, pasi Japonia pret derisa të dënuarit të ezaurojnë çdo mjet ligjor përpara se t’i ekzekutojë, zakonisht me varje.
Më 20 mars 1995, anëtarë e kultit kryen sulmin në metronë e Tokios, ku lanë çanta me gaz sarin në trenat e linjës. Kulti “Aum Shinrikyo”, emri i të cilit do të thotë “E vërteta supreme”, u krijua në vitet 1980, si një kombinim i besimeve hindu dhe budiste.