Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Dalina Ibrahimaj në një dalje për mediat, u pyet për sulmet e këtyre ditëve nga grupi iranian ‘Homeland Justice’ që sulmoi Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë apo, duke lënë pa sistem dhe prokuroritë e juridiksionit.
Ajo tha se këto dëme nuk kanë qenë të pariparueshme.
“E vërteta është se atakët kibernetike që përmendët nuk kanë lënë dëme të pariparueshme. Strukturat tona të kibernetikës janë të ngritura dhe në fuqi. Për ne me rëndësi është që të mos kenë dëme të pariparueshme. Në botën e teknologjisë janë incidente që ndodhin. Ne monitorojmë në kohë reale të gjitha sulmet kibernetike. Do të vijojmë investimet në këtë fushë, pasi e ardhmja është digjitale. Dhe sulmet padyshim që do të jenë digjitale.”, tha ajo.
Duke u ndalur te skandali i AKSHI-t dhe te dyshimet nëse kanë rrjedhur të dhëna nga ky institucion, Ibrahimaj tha se ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga prokuroria për këtë çështje.
“Fakti që të dhënat janë përdorur për interes privat, është opinion. Nuk jam në dijeni të një rezultati të tillë hetimor që SPAK është duke kryer. Nuk mund të themi se ka pasur një përdorim për qëllime personale. Kur prokuroria dhe gjykata të dalë me një qëndrim, do ta themi me zë të plotë. Siguria kibernetike është nën monitorim. Sulmet janë të zhvilluara me instrumente të reja. Ne nuk mund të ndalojmë sulmet kibernetike. Sa i përket të dhënave dhe përdorimit të tyre, ne vitin e kaluar kemi hartuar ligjin GHBR.”, tha ajo.





