Një valë e re bombardimesh ruse goditi kryeqytetin ukrainas gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, duke lënë të paktën 28 persona të vrarë, përfshirë tre fëmijë, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Në një njoftim përmes Telegramit, autoritetet konfirmuan se 10 trupa, përfshirë atë të një fëmije dyvjeçar, u nxorën nga rrënojat e një ndërtese banimi në lagjen Svyatoshinsky të Kievit.

Në total 159 persona kanë mbetur të plagosur, përfshirë 16 fëmijë, si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa.

Ndërkohë, një tjetër viktimë u raportua në rajonin e Zaporizhias, ku një burrë 63-vjeçar humbi jetën pasi një predhë goditi shtëpinë e tij në fshatin Veselyanka, njoftoi komandanti i distriktit ushtarak, Ivan Fedorov.

Ditë zie në Kiev

Autoritetet vendore kanë shpallur ditë zie në kryeqytet, në nderim të viktimave të sulmeve – ndër më vdekjeprurëset në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi ashpër sulmet dhe përsëriti thirrjen për ndryshim regjimi në Rusi, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për sigurinë e Evropës dhe botës.

Reagimi i SHBA-ve

Presidenti amerikan Donald Trump i cilësoi sulmet si “të neveritshme” dhe paralajmëroi sanksione të reja ekonomike, jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj vendeve që bashkëpunojnë ekonomikisht me të.

“Nuk e di nëse do të kenë efekt, por ne do ta bëjmë,” tha Biden, duke i vendosur një afat 10-ditor presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund konfliktit – luftës më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.